Një hetim i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe atyre gjermane çoi në zbulimin e një grupi kriminal që trafikonte marijuanë nga vendi ynë drejt Gjermanisë. Ky grup përbëhej nga 12 persona, 8  shqiptarë e 4 gjermanë.

Në njoftimin e saj Prokuroria e Posaçme bën me dije se gjatë hetimeve u evidentuan 9 episode, ku u trafikuan 912 kilogramë marijuanë në total. Vlera e drogë përllogaritet të shkojë mbi 3.3 milionë euro.

Ky është edhe momenti, kur forcat e policisë arrestojnë atë që dyshohet se është drejtuesi dhe financues të këtij aktiviteti kriminal, Islam Sefa. Ai u kap të mërkurën, shumë pranë godinës së Prokurorisë së Posaçme.

Sipas të dhënave hetimore të SPAK, autoritetet gjermane të drejtësisë e më konkretisht Prokuroria e Braunschweig, ka hetuar një grupim në përbërje të të cilit kishte disa shtetas shqiptarë, të cilët, si pjesë e një grupi kriminal, gjatë viteve 2020-2021, kanë importuar në Republikën Federale Gjermane, në disa episode, sasi të konsiderueshme lënde narkotike të llojit marijuanë.

Sasia e lëndës narkotike sigurohej kryesisht nga Shqipëria dhe Spanja, e cila pasi futej në territorin gjerman, është tregtuar në rajonin Wolfsburg-ut, Magdeburg-ut, si dhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian.

Autoritetet shqiptare kryen kontrolle në disa banesa, biznese e automjete, duke sekuestruar para e sende të tjera me vlerë.

Edhe në Gjermani pati kontrolle e sekuestrime, mes të cilave edhe 60 kilogramë marijuanë me mbishkrimin “Kruja”. Hetimet vazhdojnë për të identifikuar nëse ka të tjerë persona të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Klan News