Kryeministri Edi Rama po zhvillon takim me sipërmarrjet, partnerët ndërkombëtarë, drejtuesit e shkollave profesionale dhe ekspertët e reformës së re për “Arsimin Profesional Dual” dhe “Fondin Kombëtar të Aftësimit”.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është shprehur se tanimë është koha që në arsimin profesional të bëhet një hap i madh përpara. Rama ka thënë se do të dualizohet arsimi profesional duke e zhvendosur mësimin e nxënësve në sipërmarrjet përkatëse për fushat që ata studiojnë.
Kryeministri Rama është shprehur se kjo do të jetë metoda e re e mësimit për arsimin profesional teksa ka thënë se nuk bëhet fjalë për t’i sjellë sipërmarrësve shërbëtorë në mjediset e punës, por nxënës që do e bëjnë shkollën aty dhe që duhet të trajtohen me maksimumin e kujdesit.
Edi Rama: Sot pa asnjë diskutim, industrinë e turizmit në Shqipëri, jo vetëm që ka vende pune, por ka vende pune me gatishmërinë për të paguar njësoj si në vendet rreth e rrotull. Problemi është aftësia. Po të kthehen nga Greqia në sektorin e turizmit në Shqipëri, në fund të muajit do të kenë një bilanc të ardhurash më pozitiv sepse do të jenë pranë shtëpisë së tyre, do të kenë shpenzime shumë më modeste. Kjo vlen për të gjitha fushat. Arsimi ynë profesion ka bërë hapa të rëndësishëm para, por sot është në nevojën për të bërë një hap të madh përpara. Baza për të hedhur këtë hap është vendosur. Dualizimi i arsimit profesional duke spostuar në fushën ku zhvillohet veprimtaria ekonomike, në sipërmarrje pjesën kryesore të ditëve të shkollës.
Pika kyçe e shqetësimit të ekspertëve të fushës. Këtu nuk bëhet fjalë për t’i sjellë sipërmarrjeve disa vajza dhe djem në moshë shumë të re që të përdoren si shërbëtorë në mjediset e punës, por për të sjellë pranë sipërmarrjeve nxënës që do të bëjnë shkollën dhe duhet të trajtohen me maksimumin e kujdesit duke ndaluar rreptësisht abuzimin me ta. Do të thotë t’i marrësh nga procesi mësimor dhe t’i fusësh në punë pasi nuk janë aty për të bërë punë. Nëse dikush vjen në një hotel për të marrë arsimimin e nevojshëm profesional të recepsionit, kjo nuk do të thotë se ai vjen për t’u marrë aty ngaqë në recepsion duhet dikush. Ky është një investim që kthehet, por nuk funksionon si një investim që kthehet në të njëjtën kohë që zhvillohet investimi.
/tvklan.al