Kinematografia shqiptare humbi një nga aktorët më të njohur dhe të talentuar, i cili me rolet dhe interpretimet e tij në filma dhe teatër kishte fituar zemrat e publikut.

Bëhet fjalë për Xhevdet Ferrin, i cili ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare. Dhimbja që ai la tek familja e tij, miq, dashamirës, kolegë, tek ata që e kishin takuar personalisht, ose ata që e njihnin vetëm përmes ekranit është shumë e madhe.

Përmes një postimi në Facebook, vajza e tij Bora falenderon për mbështetjen dhe ngushëllimet që miq e dashamirës kanë bërë për vdekjen e babait të saj.

Më tej, ajo ka sqaruar edhe shkakun e vdekjes, por edhe arsyen pse nuk u bënë homazhe në nderim të tij.

“Dy fjalë në ditën më të zezë të jetës sime dhe të mamit….

1. Falenderime të pafundme dhe mirënjohje të thellë për gjithë ngushëllimet dhe suportin e miqve, dashamirësve dhe gjithë atyre që e kanë dashur Xhode Ferin, qofshin ata të afërm apo të largët. Në pamundësi për t’ju falenderuar një nga një, ju lutem pranoni këto falenderime publike.

2. Falenderime për mediumet e lajmeve që kanë përcjellë me shumë respekt e dashamirësi jetën dhe karrierën e babit, duke patur mirëkuptimin por dhe hermetizmin tonë të plotë.

3. Ndjej që duhet të sqaroj arsyen e ndarjes nga jeta të babit, për efekt qartësie të informacionit. Është e vërtetë që ai kishte kaluar një sëmundje të rëndë, të cilën e kishte mposhtur me sukses. Arsyeja fizike pse na la ishte një insuficiencë e rëndë pulmonare, të cilën nuk mundi ta mposhte. Falenderime për ekipet e Spitalit Amerikan 2, që u përpoqën me gjithë forcat dhe kapacitetet e tyre për ta shpetuar. I provuam të gjitha, pa pishman!

4. Ndërsa për sa i përket çështjes së homazheve publike…Xhoda shquhej për diskrecion në jetën e vet. Vullneti i tij ish që dhe nӕ jetën e përtejme t’i prezervohej ky diskrecion. E kuptojmë dhe vlerësojmë që dashamirës të tij janë të dhembur për shkak të largimit të tij, por ne gjykojmë se dhimbja është personale dhe duhet vuajtur si e tillë. Nuk ka të bëjë me arsye zhgënjimi prej sistemit apo politikës – nuk është as rasti dhe as koha për refleksione të tilla. Neve na është shuar drita e diellit mbi shtëpi, nuk mendojmë për perceptime publike apo politike. Me shumë mirënjohje e përzemërsi”./tvklan.al