Radhët e gjata nëpër qendrat e votimit si në rastin e treguar në këtë filmim në Nju Xhersi apo në Xhorxhia nuk janë të rralla këtë të martë, ditën e fundit dhe më të rëndësishmen e zgjedhjeve presidenciale.
Kandidati republikan, Donald Tramp dhe bashkëshortja e tij votuan në një qendër votimi pranë rezidencës së tyre në Palm Biç të Floridas. Para mediave, ai shprehu bindjen në fitore, por premtoi se do e pranonte edhe humbjen.
“Nëse humb zgjedhjet, nëse ato janë të ndershme, premtoj që do të jem i pari që do ta pranoj. Nuk do të ketë dhunë. Mbështetësit e mi nuk janë të dhunshëm.”
Kandidatja demokrate Kamala Herris, e cila votoi me postë që në zgjedhjet e hershme, u shfaq në selinë e demokratëve në Uashington, ku falenderoi qindra simpatizantë që kishin ardhur për ta mbështetur.
“Kjo me të vërtetë tregon më të mirën e asaj që ne jemi.”
Presidenti amerikan Xho Bajden u bëri thirrje amerikanëve përmes një postimi në X, të votojnë masivisht. Ndërsa ish-presidenti demokrat Barak Obama, përmes një videomesazhi u bëri thirrje votuesve të që dalin masivisht për të votuar për kandidaten demokrate.
“Njerëz, këto zgjedhje do të përcaktohen nga shumë pak vota. Prandaj dilni dhe votoni për Kamala Herrisin dhe Tim Uollzin.”
Të parët që votuan këtë të martë ishin banorët e fshatit të vogël të Dixvill Noçit në Nju Hempshir aty, ku sipas traditës hapen kutitë e para të votimit. Pas numërimit të votave, 3 banorë votuan Trampin dhe 3 të tjerë Herris, një tjetër tregues për rezultatin e ngushtë dhe të paparashikueshëm të kësaj gare.
Të drejtë vote kanë mbi 244 milionë amerikanë, nga të cilët në zgjedhjet e hershme që kanë nisur para 10 ditësh kanë votuar mbi 82 milionë, më shumë se gjysmën e totalit të pjesëmarrësve në Presidencialet e 2020-ës. Kutitë u hapën në orën 5 të mëngjesit me orën lokale dhe do të qëndrojnë të hapura maksimalisht në disa shtete deri në 9 të darkës si në rastin e Nju Jorkut, orar pas të cilit pritet të nisë numërimi dhe të dalin rezultatet e para.
Vëmendja fokusohet tek 7 shtetet e konsideruara si të paqëndrueshme, me Pensilvaninë që pritet të jetë trofeu që do i sigurojë Donald Trampit ose Kamala Herrisit, postin e presidentit për 4 vitet e ardhshme. Në lojë në këto 7 shtete janë 93 delegatë të Kolegjit Zgjedhor, të cilët ashtu si në shumicën e shteteve amerikane me përjashtim të Nebraskës dhe Meinit, në secilin shtet i kalojnë kandidatit që merr shumicën atje.
Sondazhet tregojnë se kandidati republikan është në avantazh në 4 prej tyre, ndërsa demokratja në 2 të tjerë. Teksa në Pensilvani, rezultati duket kokë më kokë, gara mes kandidatëve pritet të përqëndrohet tek 19 delegatët e këtij shteti për të arritur 270 votat e nevojshme për t’u zgjedhur president në kolegjin me 538 anëtarë.
Rezultati në shkallë kombëtare duket i paparashikueshëm pasi sondazhet parashikojnë një avantazh të lehtë me rreth 1% të Kamala Herrisit, një përqindje brenda kufirit të gabueshmërisë.
5 alarme të rremë për bombë pezulluan votimin në disa qendra të Atlantës në Xhorxhia. Dyshimet janë se kërcënimet e rreme kanë ardhur me mesazhe online nga disa IP ruse. Procesi i votimit u zgjat për të kompensuar vonesat.
Frika e trazirave nga përsëritja e dhunës së 6 Janarit të 2021-shit, nga mbështësit e kandidatit republikan, nëse ai nuk shpallet fitues dhe nuk njeh rezultatin ka detyruar pronarët e bizneseve në qendër të kryeqytetit Uashington, të përforcojnë vitrinat e dyqaneve. Edhe Kongresi është rrethuar me gardh të hekurt.
Tv Klan