I ftuar këtë të hënë në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ka qenë sociologu, Gëzim Tushi. Në studion lëvizëse, ai ka folur për rëndësinë që ka kontakti me natyrën në zhvillimin e fëmijëve.
Tushi citon një filozof dhe sociolog të shquar britanik kur thotë: “Fëmijët e sotshëm dalin në ajrim, në natyrë, më pak se të burgosurit” dhe kjo sipas tij, është e tmerrshme!
Gëzim Tushi: Është e tmerrshme! Ky obligimi i tërë kohës të fëmijëve, në procesin e zhvillimit të tyre intelektual, është strapacim dhe është në kundërsens me zhvillimin moshor; është në kundërsens me zhvillimin e tyre të natyrshëm.
Aldo: S’i del koha të bëjnë një gabim.
Gëzim Tushi: Një fëmijë që të zhvillohet në mënyrë integrale ka nevojë që të zhvillohet mendërisht, fizikisht, emocionalisht, pra janë disa komponent. Nuk është vetëm një komponent, të mësosh gjuhët e huaja apo të mësosh shkenca të caktuara për të qenë konkurrues. Kjo ka bërë që të reduktohen dy gjëra të rëndësishme: koha e lirë e fëmijëve që është reduktuar në minimum… Unë po ju them, është një filozof, një sociolog shumë i shquar, dhe ai thotë: “Fëmijët e sotshëm dalin në ajrim, në natyrë, më pak se të burgosurit”. Është e tmerrshme! Të burgosurit, thotë ai, marrin kontakt me ajrin dhe me natyrën më shumë. Sepse ne fëmijët i çojmë në shkollë, janë të mbyllur në aulat e mësimit, i çojmë andej i marrim në shtëpi, hamë drekë, i çojmë në kurs, nga kursi në kurs, në shtëpi, në gjumë, në krevat. Ky cikël i mbyllur i tyre i pengon ata me zhvillimin. Prindi duhet të kuptojë një gjë, gjëja më e rëndësishme për fëmijët është loja! Loja është kontakti me natyrën dhe kontakti me natyrën zhvillon tek fëmija shumë gjëra. /tvklan.al