Tërmetet godasin ishullin e Sicilisë. Goditja e parë është verifikuar në orën 16.19 minuta në zonën e Messina-s dhe sipas të dhënave të Institutit të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, ishte me magnitudë rreth 5. Lëkundja është regjistruar në një thellësi prej 17 km me epiqendër në det, në jug të ishujve Alicudi dhe Filicudi.

Tërmeti është ndjerë në të gjithë zonat përreth, përfshirë Messina-n dhe rrethinat, por edhe ishujt Eolie, ku banorët kanë dalë jashtë banesave të tyre. Sipas të dhënave nuk janë regjistruar dëme në njerëz apo dëmtime në struktura.

Goditja e parë është pasuar nga disa të tjera me një frekuencë prej 20 minuta nga njëra-tjetra, por me magnitudë më të ulët dhe në një thellësi prej 7 dhe 4 km.

Këto tërmete po verifikohen në të njëjtën kohë në Mesdhe, ndërkohë që situata paraqitet shqetësuese edhe në ishullin grek Santorini. Vend ky që po përballet me lëkundje të vazhdueshme prej disa ditësh tashmë, e ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Mijëra banorë janë larguar nga ishulli.

Klan News