Shqipëria sakrifikoi me hidrocentralet, tani duhet të mbështetet me grante

I pranishëm në konferencën e Kombeve të Bashkuara mbi ndryshimet klimatike që po mbahet në Glasgow të Skocisë, Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria po vuan pasojat e shteteve më të mëdha të cilat ndotin edhe më shumë planetin Tokë.

“Unë ndoshta jam më i gjati këtu por përfaqësoj një nga shtetet më të vogla në këtë samit, Shqipëria. Bashkëqytetarët e mi dhe unë i kemi parë shtetet tuaja si shembull të qeverisjes së mirë. Në takime të nivelit të rëndësishëm si ky ne na thuhet se ç’duhet të bëjmë. Ne përpiqemi që të dëgjojmë dhe të mbajmë shënime. Unë ju dëgjova dhe mbajta shënimet e mia, por çështja të cilën kisha ndërmend para se të vija këtu nuk ka marrë përgjigje ende. Ndoshta nuk i ka interesuar askujt ndaj po jua bëj të qartë. Si ndotësit më të mëdhenj në botë duan të na ndihmojnë ne financiarisht si shtet jo i ndotur? Prodhimi ynë i energjisë është i bazuar 100% mbi bazën e burimeve të rinovueshme, zero lëndë djegëse fosile”.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se vendi ynë është një vend jo ndotës, por ka nevojë për ndihmën e shteteve të mëdha për të përballuar krizën aktuale energjetike.

“Ne nuk mjaftohemi që të arrijmë të realizojmë angazhimet e përbashkëta. Ne i kemi realizuar këto objektiva tashmë që sot në vitin 2021. Gjithsesi ne nuk jemi tërësisht të pavarur ndaj na duhet që të importojme energji prandaj ne importojmë në këtë mënyre ndotje. Ne si vend i vogël ju pyesim për sa kohë do të vijojmë të bëjmë gjënë e duhur të vetëm, për sa kohë ne do të na duhet që të paguajmë çmimin së pari si kontribut për ndryshimet klimatike të shteteve më të mëdha se ne dhe po ashtu dështimin e tyre për të eleminuar pasojat”.

Më tej, kreu i qeverisë shqiptare tha se vendi ynë ka nevojë për mëbshtetje financiare. Kreu i qeverisë shqiptare tha se në vite, vendit tonë i ishin bërë oferta për të ndërtuar centrale me qymyrguri, por ato ishin refuzuar në funksion të synimit për energji të pastër.

Ne mund t’i kishim mirëpritur në vite të gjitha ofertat e lakmueshme për centrale me qymyrguri , do na kishin ndihmuar te balanconim nevojat tona për energji në sezonin e thatësires sepse varemi 100% nga reshjet. Jam krenar që nuk e bëmë edhe pse varemi 100% nga hidrocentralet. Tani që dimri po vjen buxheti ynë nuk mjafton sepse ka qenë një periudhe thatësire dhe na duhet të blejmë energji me çmime të larta për familjet e bizneset që nuk mund të përballojnë çmime kaq të larta. Është normale të paguajmë çmimin e asaj që ne bëmë për të mbajtur vetëm energji të pastër ndaj na mbështesni me grante. Nuk mund të presim që tregjet të lëvizin në drejtimin e duhur. Është një përpjekje e vështirë ndaj na duhet mbështetja e shteteve të pasura, këta ndotës të mëdhenj”.

Sipas Ramës, Shqipëria duhet të ndihmohet në këto kushte, por jo me kredi me interesa të larta. Në fund të fjalës së tij, Kryeministri shqiptar tha se ky financim nuk duhet të vijë në formën e huave që i zënë grykën vendeve të vogla si Shqipëria, por nëpërmjet granteve që fuqizojnë ekonominë e këtyre shteteve.

Klan News