Lajme Arkiva 2003

Një shtab emergjence është ngritur në qarkun e  Elbasanit për përballimin e situatës së krijuar pas reshjeve të dëborës. Java e parë e prillit apo e njohur në gjuhën e njerëzve të thjeshtë edhe si “ditët e plakave” kësaj radhë kanë befasuar me një mëngjes të ftohtë dh plot borë.

Ndërkohë që në qytet trashësia e dëborës ka arritur deri në 15 centimetra situata është e vështirë në zonat rurale dhe në disa qytete si Gramshi dhe Librazhdi.

Në disa zona malore për shkak edhe të erës që fryn trashësia e dëborës ka arritur deri në gjysmë metri. Shkollat në fshatrat malore janë mbyllur ndërsa plotësisht prefektura është në vështirësi për shkak të bllokimit të disa akseve rrugore.

Problematike paraqitet rruga nacionale pasi Qafë-Kërraba dhe Qafë-Thana kanë qëndruar për disa orë të bllokuara dhe kalimi i tyre aktualisht bëhet vetëm me zinxhirë./tvklan.al