Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Enti Rregullator i Energjisë, pasi ka shqyrtuar kërkesën e KESH mbi çmimin e ri të energjisë, ka gjetur një të mesme të pjesshme, ku palët e interesuara kanë rënë dakord. Kështu çmimi që do të aplikohet në faturat e fundit të muajit, pritet të jetë 4.5 lekë për kilovat/orë për konsumatorët familjarë, të cilët konsumojnë deri në 300 kilovat/orë dhe 9.4 lekë për kilovat/orë, nëse tejkalohet kjo kuotë.

Po të bëhen krahasime, vitin që shkoi, çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët deri në 300 kv/h ishte 4 lekë, me rritjen e re pa tvsh, ajo shkoi në 4.1 lekë. Për ata që e tejkalonin kuotën vitin që shkoi, 1kv/h ishte 8 lekë, ku me rritjen e çmimit këtë vit ajo shtohet 0.8 lekë dhe shkon në 8.8 lekë. Ndërsa për furrat e bukës, ishte 4.5 lekë për kv/h dhe këtë vit çmimi shtohet me 0.5 lekë, duke u shitur 5 lekë kv/h për furrat e bukës.

Për mediat e shkruara dhe ato vizive, çmimi është 7 lekë për kv/h, për buxhetorët 8.5 dhe sektori privat 8.3 kv/h, tek të gjitha këto nuk është llogaritur tvsh. ERE është organi që mbron interesat e konsumatorëve dhe sipas tij, qëllimi ishte që çmimi i ri i vendosur i energjisë të mos ndikonte shumë në shtresat me të ardhura të pakta. Kërkesa e KESH, për rritjen e çmimit të energjisë, erdhi pasi produkti i prodhuar prej saj shitet nën kosto./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti