Thonë se shija nuk diskutohet, por kur bëhet fjalë për etikë më shumë se me veten, duhet të këshillohesh me protokollin përkatës dhe problemi duket të jetë më serioz kur bëhet fjalë për politikanët, që në rastin e posteve të larta shtetërore edhe pse janë të detyruar t’i përshtaten rregullave të përcaktuara, shpesh nuk e respektojnë etikën.

Në fillim të viteve ’90 njohuritë dhe financat për veshjet zyrtare ishin të limituara dhe jo rrallëherë mënyra qesharake e prezantimit të zyrtarëve shqiptarë u bë objekt humori mes diplomatëve të huaj. Por më pas mes nxitimit mes nxitimit për t’u afruar sa më shumë me Evropën pushtetarët shqiptar nisën t’i ngjajnë edhe ylberit duke kaluar edhe në ekstremin ekstravagant të paraqitjes.

140 deputetët e parlamentit duket se nuk e kanë lexuar kurrë nenin 67 të rregullores që i detyron ata të jenë me veshje gjatë seancës, apo komisioneve parlamentare. Edhe në mbledhjet e qeverisë jo të gjithë ministrat prezantohen në mënyrë zyrtare ndërsa në ceremonitë e rëndësishme shtetërore pak kush respekton solemnitetin e rastit.

Në një shtet modest si Shqipëria prezantimi në takime sidomos me të huajt ka jo pak rëndësi ndërsa për ta respektuar mjafton vetëm t’i referohesh ceremonialit të shtetit apo etikës së prezantimit. Problematika e Shqipërisë ka diapazon aq të gjerë, sa duket se mungon hapësira për të diskutuar paraqitjen e figurave shtetërore, por serioziteti i prezantimit, përshtypja e parë fillon gjithmonë nga veshja dhe për te respektuar këtë detaj të rëndësishëm askush nga shtetarët nuk është detyruar të shpikë gjë, thjesht duhet të respektojë rregullat dhe publikun./tvklan.al