Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX ka filluar me transferimin e lëndëve tek autoritetet e Kosovës.

Kalimi i të gjitha kompetencave nga EULEX-i tek autoritetet vendore, sipas përfaqësuesve të Prokurorisë së Kosovës nuk përbën një sfidë, ngase sipas tyre, këto institucione tashmë janë të pjekur të funksionojnë të pavarura dhe pa ndërhyrje e ndikime politike.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, i ngarkuar për komunikim me media nga Prokuroria Speciale e Kosovës, thotë se tashmë prokuroritë kanë nisur të pranojnë të gjitha lëndët nga EULEX-i.

“Prokuroria e Kosovës është e gatshme t’i marrë lëndët e EULEX-it. Ato kryesisht në bazë të kompetencave i merr Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, por besoj se në përgjithësi sistemi prokurorial tash është i kompletuar me kuadro. Kemi një numër të mjaftueshëm për momentin të prokurorëve dhe kemi prokurorë me përvojë, kështu që kjo nuk do të jetë sfidë”

, tha Hoxha.

Nga fillimi i muajit Korrik i këtij viti, prokuroritë do të nisin me shqyrtimin e lëndëve të cilat kalohen nga EULEX-i. Kryeprokurori i Hoxha thotë se që në fillim është vërejtur një mangësi.

“Këto lëndë nuk po na vijnë krejt të kompletuara. Kemi edhe raste kur na dërgohen vetëm kopjet e lëndëve, jo edhe origjinali. Kështu që vijnë lëndët që janë afër parashkrimit”,

thekson Hoxha.

Sipas tij, prokurorët kosovarë kanë përvojë edhe me lëndë që cilësohen si të ndjeshme, ku përfshihen ato të krimeve të luftës dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

“Përndryshe, sa u takon lëndëve të krimeve të luftës ne i kemi që një kohë, dy prokurorë që merren me lëndë të kësaj natyre, pastaj për krim të organizuar e korrupsion të nivelit të lartë veç jemi duke i punuar ato lëndë dhe për ne nuk paraqet ndonjë sfidë”,

deklaroi Hoxha.

Ai tha po ashtu se prokurorët nga Kosova janë të aftë të punojnë pa iu nënshtruar ndikimeve politike, duke përmendur edhe rastet nga e kaluara kur ishin ngritur aktakuza ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe ministra e ish-ministra.

“Ne kemi pasur raste të ngremë aktakuza edhe për ministra, edhe për sekretarë të përhershëm apo edhe për kryetarë komunash. Kështu që ne nuk kemi pasur kurrfarë pengese në atë drejtim. Nuk do të flisja për sistemin gjyqësor, jam kompetent sa i takon sistemit prokurorial”,

tha Hoxha.

Përderisa nga 1 korriku, kur misioni i EULEX-it pritet të kalojë në mision këshillëdhënës, kurse institucionet e ndjekjes penale vendore të pajisen me përgjegjësi shtesë, njohësit e sistemi të drejtësisë në Kosovë thonë se ky proces mund të jetë plotë sfida.

​Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë për Radion Evropa e Lirë se gjykatat dhe prokuroritë vendore kanë shënuar rritje në aspektin e resurseve njerëzore, por në aspektin profesional, mbetet ende pikëpyetje.

Kjo për faktin se, sipas tij, deri më tash është dëshmuar në një numër të madh të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, se nuk kanë qenë në gjendje t’i trajtojnë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Siç thotë ai, kjo do të jetë sfidë e madhe në të ardhmen për institucionet.

Edhe përmirësimet në infrastrukturën ligjore, shihen si të domosdoshme për shtimin e efikasitetit të organeve nga sistemi i drejtësisë.

Departamenti amerikan i Shtetit në raportet e publikuara, disa herë ka kritikuar institucionet e Kosovës duke thënë se Qeveria nuk ka zbatuar me efikasitet ligjet që mundësojnë përndjekjen e zyrtarëve të përfshirë në korrupsion dhe kjo dukuri mbetet problem serioz.

Rreth 400 gjyqtarë dhe 197 prokurorë, aktualisht, janë të angazhuar në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Megjithatë, një numër i madh i lëndëve vazhdojnë të mbesin të pazgjidhura nëpër gjykata.

Më 4 Qershor të këtij viti, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka dorëzuar tek autoritetet e Bashkimit Evropian letërkëmbimin me shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën përmbyllet mandati i deritashëm i misionit të EULEX-it.

Ky mision kishte ardhur në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së vendit në vitin 2008. Misioni i EULEX-it ishte krijuar për t’i ndihmuar institucionet, organet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit në Kosovë./REL