Sulmuesi i Shqipërisë, Armando Broja, në emisionin “Kampionët” në Tv Klan, tregoi raportet e tij, me trajnerin aktual, Silvinjo, por edhe me ish-trajnerin Edoardo Reja.

Në lidhje me Silvinjon, Broja deklaroi se ka një marrëdhënie shumë të mirë dhe gjatë kohës kur ishte i dëmtuar, kanë qenë gjithmonë në kontakt.

“Me trajnerin Silvinjo gjithmonë kemi qenë mirë. Edhe kur isha iu dëmtuar, erdhi në Angli dhe më foli bashkë me Zabaletën. Kemi pasur komunikim të mirë dhe kemi folu gjithë kohën. Trajneri ka bërë një punë shumë të mirë dhe e ka dërguar Shqipërinë në Europian. Ka bërë të gjithë grupin bashkë. Të gjithë çunat kemi qenë të bashkuar. Kur u futa te grupi, sepse unë shkova në nëntor, u dëmtova prapë. Lojtarët tamam i takova në mars. Ambienti ishte shumë i mirë. Lojtarët shumë të mirë, trajneri po ashtu. Ka bërë një gjë shumë të mirë.”

Broja i dha merita edhe trajnerit Reja, për të cilin deklaroi se i ka dhënë debutimin dhe e afroi në ekipin e parë të Shqipërisë. Gjithashtu ai theksoi, se Reja e ndihmonte edhe kur nuk e aktivizonte, pasi e bënte me nerva dhe donte të tregonte cilësitë.

“Raporti me Rejën? Unë si lojtar kamë pasur shumë trajnerë. Me Rejën, nuk mund të them ndonjë gjë të keqe, sepse më dha debutimin dhe më afroi në Kombëtare. Më ka aktivizuar në disa ndeshje. Kur nuk më fuste të luaja, më bënte më shumë me nerva, jo me të, por me veten, sepse doja të tregoja cilësitë e mia. Konflikt nuk ka pasur.  

Ndaj Anglisë, kisha një problem me këmbën. Takova ekipin në Angli, bëra stërvitje dhe isha mirë, në fund Reja më la jashtë.”, deklaroi Broja.


/tvklan.al