Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mblodhi në selinë blu këtë të enjte drejtuesit politikë të qarqeve. Ai foli para tyre në lidhje me propozimin më të ri të socialistëve, për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale. Berisha theksoi se qeveria është në panik dhe veprimi i ndërmarrë është okazional dhe mashtrues.

“Prej disa vitesh Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin e vitit 2014, mbi të cilin kanë vënë gjoba. KÇK-ja, çfarë ishte ajo. Në çdo vend të vënë me atë ligj, duhej ti kthehej qytetarit se kanë qenë e paligjshme, ka qenë jo kushtetuese. Pasi i kanë mbushur valixhet me dhjetëra, e dhjetëra milionë gjoba.  Njëlloj si ai, se e kam treguar disa herë historinë e personazheve të Çehovit. Dolën për gjah ata, dhe e vrau rojën, rojën e pyllit, gjoja po vrasim derrin. Shkojnë dhe e kontrollojnë dhe i gjejnë cironka në xhep. I thotë shokut, nuk po i hamë se jemi në kreshpë. Edhe këta, po ua falim këto që nuk i kanë paguar, por atyre që i kanë paguar që janë me qindra e mijëra, kthejuani paratë. Tu kthejnë paratë. Të zbatojnë vendimet siç është për të zbatuar.  Këta janë kështu, si parashtetëror, si parapolitikë.  Këta nuk kanë akt dhe veprim që nuk ndërmarrin, okazional. Hajde të mashtrojmë. Ja po heqim gjobat ne. Po heq gjobat, jepua, kthejua gjobat të gjithë atyre që u ke marrë që nga vitit 2014 me një ligj antikushtetues. Kjo është, ky është detyrimi. Ndaj dhe thashë janë në një panik të madh. Çdo ditë u bien kredencialet, jashtë dhe brenda vendit. Çdo ditë nxijnë në Europë, dhe në botë, krimet e tyre. Kjo është e vërteta“, tha Berisha.

Sipas kryedemokratit, PS-ja është në panik dhe çdo ditë i bie besimi në popull. Drejtuesit politikë i përgëzoi për punën, por theksoi se qeveria Rama po përpiqet ta sabotojë votën e emigrantëve.

“Ndërkohë dua të ju njoftoj se përfaqësuesit tanë, në të gjitha proceset dhe takimet po bëjnë gjithçka për të garantuar një proces, jo përjashtues siç e do narkoqeveria, por një proces ku shqiptarët kudo që janë, me çdo dokument identiteti si shqiptar, të mund të shprehë vullnetin e tij. Ecuria në rrafshin zyrtar dhe burokratik, nuk është ajo që duhet të ishte, duhej të ishte më e shpejtë, por natyrisht Edi Rama përpiqet, një akt që nuk e ka dashur kurrë, bën gjithçka për ta sabotuar. Ne qëndrojmë të hapur dhe të vendosur për çdo vendim që mundëson votën masive, pa diskrimimin të qytetarëve tanë shqiptarë, kudo që janë. Këta, siç mund ta shihni janë në një kaos të vërtetë”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe te seanca parlamentare duke akuzuar mazhorancën  se e prishi këtë të enjte.

“Urdhëro prishin seancën në një kohë kur e gjithë Shqipëria u trondit shumë me të drejtë, nga një vrasje në shkollë, në vendin më të sigurtë pas shtëpisë, për fëmijët. Imagjinoni se çfarë denatyrimi kanë këta njerëz, që në vend se me kokulur, apo shiko çfarë hipokritësh janë”, tha Berisha.

/tvklan.al