Emocionet e ndeshjeve vendimtare të Nëntorit kanë nisur të ndihen tashmë në kombëtaren shqiptare. Kuqezinjtë grumbullohen në Tiranë për tu përgatitur siç duhet për dy sfidat me Republikën Çeke dhe Ukrainën në kuadër të Ligës së Kombeve. Përballje tepër të rëndësishme, teksa për mesfushorin Feta Fetai, prezenca në kombëtare është një ëndërr e realizuar e fëmijërisë.

Feta Fetai: Ëndra e çdo fëmije është të luajë për Kombëtaren dhe çdo fëmijë ka ëndërr të luajë në Europian ose Botërorë me Kombëtaren. Modriçin e preferoj shumë, por nga ana e Shqipërisë ka shumë lojtar që i preferoj shumë si Asllani, Ramadani.

Për portierin, Thomas Strakosha, fakti që dy sfidat e Nëntorit luhen para tifozëve shqiptarë është një mundësi për të tentuar fitimin e grupit B1.

Thomas Strakosha: Ne e dimë shumë mirë që duhet të përqendrohemi shumë dhe të futemi nga minutat e para fort. Tani kemi dy finalet në Shqipëri dhe mendoj që jemi të gjithë të përgatitur mirë, ndaj besoj se do të japim maksimumin. Stadiumet plot vetëm na motivojnë dhe na japin zemër për të luajtur më mirë. Është diçka shumë e mirë për ne dhe për çdo shqiptarë.

Kombëtarja shqiptare do të zbresë në fushë më 16 Nëntor kundër Republikës Çeke dhe tre ditë më pas ndaj Ukrainës. Dy sfidat do të transmetohen ekskluzivisht dhe falas në Televizionin kombëtar Klan. Momentalisht, Shqipëria gjendet e treta me 6 pikë, aq sa Gjeorgjia, ndërsa Çekët numërojnë 7 pikë e Ukraina e fundit me 4.

Klan News