Orët e para të mëngjesit kanë shënuar dhe fluksin më të madh të emigrantëve që rikthehen për festat e fundvitit në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar të Kakavijës. 13.200 emigrantë, për disa orë kanë krijuar një radhë të gjatë prej 6 kilometrash e papërballueshme, për të dyja pikat e kalimit kufitar Greqi-Shqipëri, të cilat kanë një kapacitet prej 4500 personash në 24 orë. Për të parë nga afër situatën e krijuar në Kakavijë ka mbërritur edhe Ambasadori Shqiptar në Athinë, Bashkim Zeneli.
Bashkim Zeneli: “Nuk ka asnjë shqetësim, ka një kalim shumë normal të emigrantëve, janë rreth 7000-8000. Pardje ka pasur edhe 8500, gati 9000 vetë. Kalojnë mbi 40 autobusa në ditë, kalojnë 500-600 makina.”
Ndërsa Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Nuredin Bega, tregon masat e Policisë Shqiptare.
Nuredin Bega: “Kemi shtuar sportelet, ka një organizim shumë të mire dhe deri tani e rëndësishme është që nuk kemi pasur asnjë incident nga pala greke. Puna vazhdon normalisht, mendoj që edhe në kthim do të jenë të njëjtat masa, për kthimin e tyre në vendet e punës, në shtetin grek.”/tvklan.al