Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Mero Baze: “Kryeministri mesa duket, duke çuar kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Lesi në Prokurorinë e Përgjithshme dhe pastaj për ta kaluar dhe në parlament, mendon të bëjë një test politik për shumicën e tij në parlament, një test të parrezikshëm nga pikëpamja ligjore, por të vështirë nga pikëpamja politike, pra thjesht do të testojë deri në çfarë mase ka arritur të ruaj shumicën e tij në parlament dhe ndaj mendoj, se beteja për heqjen e imunitetit të zotit Lesi në parlament, duhet të kthehet në një betejë politike për votëbesimin e kryeministrit është një shans i mirë për të gjitha palët, për të provuar nëse janë të angazhuara realisht, për të penguar veprimet arbitrare të qeverisë apo jo”.
Ylli Rakipi: “Unë them, që e drejta në këtë rast është me gazetarët dhe kryeministri sidomos, kryeministri i vendit duhet të lërë, duhet të heqë dorë nga nervozizmi, të heqë dorë nga pasioni në këtë rast dhe ta shikojë me qetësi këtë problem, sepse avantazhet në këtë rast janë të gazetarëve”.
Gazetari: Pra kryeministri nuk duhet ta mbrojë të drejtën e tij në gjyq?
Ylli Rakipi: “Sigurisht po, unë nuk thashë nuk duhet ta mbrojë. Të gjithë duhet të përgjigjemi përball ligjit, por duhet të ndajmë pjesën tjetër që ka njerëz që na shfaqen mbi ligjin dhe ky është një problem serioz në Shqipëri”.
Aleksandër Frangaj: “Edhe kryeministri është një qytetar i këtij vendi që ka nevojë të mbrohet në rast se ka akuza të padrejta ndaj tij, por rruga që ai kërkon, rruga me gjykata e thashë është rruga më e gabuar. Kryeministri është personalitet politik është profesionist politik dhe mbrojtjen e tij duhet ta bëjë me mbrojtje politike. Pra një kryeministër i aftë, mund ta bind opinionin publik, me argumente politikë, me argumente duke argumentuar faktet, apo akuzat e zotit Lesi dhe nëse faktet e zotit Nano, janë më bindëse, nëse argumentet e zotit Nano janë më bindëse se ato të zotit Lesi, atëherë kryeministri e ka fituar betejën edhe pa vendim gjykate. Nëse opinioni publik bindet që Fatos Nano është i sulmuar pa të drejtë, atëherë, ai e ka fituar atë personalitet të cenuar, nëse është cenuar dhe i dëmtuari në këtë rast, ndoshta dhe pa vendim gjykate do të jetë zoti Lesi, i cili do të vërtetohet publikisht që ai ka shpifur, apo ka fyer padrejtësish. Por futja e policisë qoftë e policisë tatimore, policisë doganore dhe policisë elektrike, e policisë pyjore dhe sa polici ka shteti në dorë, apo dhe gjykatës, apo dhe prokurorisë, për t’i hequr imunitetin dhe më pas për ta dënuar në gjykatë, më duket zgjidhja më e gabuar kjo, jo për zotin Lesi, se sa për kryeministrin, pasi përvojat e deri sotme në Shqipëri, që prej viti 90, janë të gjitha përvoja negative në drejtim të shtetit. Shteti në të gjitha rastet, ndoshta dhe kur ka pasur të drejtë, ka humbur”.
Erion Veliaj: “Mbështesim zotin Lesi në betejën e tij ligjore, por është fatkeqësi që përsëri standardet tona nuk maten me standardet Washingtonit apo të Brukselit, por maten me ato të Kongos, apo dhe të Kilit e Argjentinës të viteve 70”.
Gazetari: Mos duhet të presim që drejtësia të thotë fjalën e vetë më parë?
Erion Veliaj: “Kjo është më se e vërtetë, por jemi zhgënjyer mjaft herë nga drejtësia e komanduar, kështu që shpresoj që kësaj here do të ndodhë një mrekulli ndonëse nuk jam shumë entuziast”./tvklan.al
Gazetar – Vladimir Lame