Greqia ka shprehur edhe njëherë mbështetjen e saj për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kjo i është bërë e ditur Ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, gjatë një vizite që zhvilloi në shtetin fqinj.

Në bisedën me kryetarin e parlamentit grek, Dimitris Siufas, Oketa mori garancinë se Greqia mbështet plotësisht ambicien e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

Ashtu siç konfirmoi edhe në Tiranë kryeministri grek, Karamanlis, procesi i liberalizimit të vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian ka mirëkuptimin e plotë të Athinës zyrtare.

Në takimin dhe më pas në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij grek, Evangelos Meimarakis, Ministri shqiptar i Mbrojtjes nuk nguroi t’i kërkojë qeverisë greke mbështetjen e saj për këtë proces.

Evangelos Meimarakis: “Biseduam për zgjerimin e BE-së dhe NATO-s në Ballkanin Perëndimor, zhvillime që do të jenë në interes jo vetëm vetë rajonit, por edhe të Evropës në tërësi”.

Gazmend Oketa: “I kërkova mbështetjen jo vetëm si koleg, por edhe si anëtar i qeverisë greke për të bërë të mundur aspiratën e shqiptarëve për të lëvizur të lirë në Evropë si një lëvizje e cila sigurisht do të ndikonte jo vetëm për mirë në marrëdhëniet dypalëshe, por për të gjithë rajonin.”

Në agjendën e dy ministrave ishte dhe çështja e Kosovës, pavarësinë e së cilës Ministri grek i Mbrojtjes e cilësoi si një faktor stabiliteti në Ballkan.

Evangelos Meimarakis: “Përsa i përket Kosovës, i theksova ministrit se Greqia është e interesuar për një zgjidhje të balancuar që do të garantojë akoma më shumë stabilitetin dhe sigurinë në rajon.”

Ministrat vlerësuan bashkëpunimin e dy vendeve në fushën ushtarake, duke u shprehur se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, do t’i japë një tjetër impuls partneritetit mes dy vendeve. 

Pas këtij urimi dhe një dhurate simbolike për homologun grek, ministri Oketa u takua edhe me studente shqiptarë qe arsimohen prej vitesh në shtetin fqinj./tvklan.al