Projekti italo-shqiptar për ndërtimin e centralit bërthamor në vendin tonë duket se do të marrë udhë shumë shpejt.

Ky projekt ambicioz dhe njëherësh tepër i debatuar si dhe një seri projektesh të tjera në sektorin energjetik kanë qenë një nga temat kryesore të takimit që kryeministri Berisha ka pasur me presidentin e Dhomës së deputetëve të Italisë, Gianfranco Fini, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë me ftesë të kryeparlamentares Topalli.

Sali Berisha: “Sot presidenca e investitorëve të mëdhenj italianë dhe investitori Italian tërësisht më e madhe se këtu në Shqipëri. Energjia është një nga fushat me interes shumë të madh për të dy vendet. Me presidentin Fini dhe me presidentin Berlusconi kanë diskutuar mbi mundësinë e bashkëpunimit për ndërtimin e një centrali nuklear në Shqipëri. Në tërësi kapitulli i investimeve mund të them se është shumë i mirë. Përveç disa incidenteve me disa anti-diplomatë për të qenë këtu, i thashë presidentit Fini, janë… i fundit i marksizmit dhe leninizmit dhe i ekstremizmit parsist leninist”.

Për zotin Fini burimet energjetike që ka vendi ynë e bën shumë atraktiv atë për investitorët italianë, por kjo për Finin nuk është arsyeja e vetme.

Klima e krijuar nga qeveria shqiptare për investitorët është një fakt që duhet marrë në konsideratë të veçantë.

Gianfranco Fini: “Investitorët italianë gjithnjë e më shumë po i drejtojnë sytë nga Shqipëria për të shtrirë bizneset e tyre, kjo për shkak se ata në këtë vend gjejnë sigurinë dhe ligjin që vepron. Një vend s’mund të modernizohet dhe të ketë demokraci nëse nuk plotëson këto kushte, sigurinë dhe ligjshmërinë dhe qeveria shqiptare ka arritur të krijojë një klimë të favorshme për vendin.”

Mes Finit e Berishës është folur dhe për intensifikim të luftës dypalëshe kundër krimit të organizuar, ndaj të cilit në këndvështrimin e dy bashkëbiseduesve toleranca duhet të jetë zero.

Këto tema bisedimesh zoti Fini ka ndarë edhe gjatë takimit me presidentin e republikës, Bamir Topi, ndërsa ka vlerësuar dhe rolin e qeverisë shqiptarë për të garantuar një emigracion legal.

Ndërkohë që gjatë takimit dypalësh me homologen e tij, zonjën Topalli, presidenti i Dhomës së deputetëve italianë ka dhënë garanci për ratifikim sa më të shpejt të protokollit të aderimit të vendit tonë në NATO.

Jozefina Topalli: “Jam shumë e kënaqur që t’ju bëj me dije se presidenti Fini më bëri të njohur gjithashtu se parlamenti italian do të ratifikojë sapo të mbërrijë në Dhomën italiane protokollin e NATO-s për Shqipërinë”.

Zoti Fini ka vlerësuar zhvillimet e mëdha që ka bërë vendi ynë në vitet e fundit dhe padyshim për të kjo i siguron Shqipërisë një të ardhme të sigurt në Evropë.

Gianfranco Fini: “Shqipëria ka bërë hapa gjigantë në fushën e reformave dhe mendoj se do të vazhdojë të intensifikojë reformat. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se e ardhmja e vendit tuaj është Bashkimi Evropian”./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka