Atalanta mori fitoren e parë sezonale në Champions League pasi mposhti 3-0 skuadrën e Shakhtar Donetsk, me protagonist absolut mbrojtësin shqiptar, Berat Gjimshiti.

Përveçse i pakalueshëm në mbrojtje, kapiteni i Shqipërisë ishte edhe autor i një goli. Gjimshiti zhbllokoi sfidën në minutën e 21-të, duke shënuar pas një krosimi të marrë nga Lookman.

Ky ishte goli i parë në karrierë për shqiptarin në Ligën e Kampioneve, i cili u zëvendësua në fillim të pjesës së dytë, për shkak se ndjente dhimbje. Në orët e ardhshme, pritet të zbulohet për çfarë dëmtimi bëhet fjalë.

Sa i përket ndeshjes, Atalanta shënoi edhe dy herë të tjera me Lookman dhe Bellanova, për të marrë tre pikët e para, në raundin e dytë.

Sfidë spektakolare ishte ajo mes Gironas dhe Feyenoord, e cila u luajt paralelisht. Në këtë takim, triumfoi skuadra holandeze me rezultatin 3-2. /tvklan.al