Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur kompaninë koncesionare që ofron shërbimin e kolaudimit në territorin e Shqipërisë “SGS Automotive Albania”.
Në bazë të vendimit të marrë nga Autoriteti i Konkurrencës, kompania e cila ka monopolin e kontrollit teknik të automjeteve duhet të derdhë një shumë në vlerën e 5.69% të xhiros vjetore të vitit 2017, ose 510 mijë dollarë.
Në argumentet e tij, Autoriteti sqaron se kompania ka një pozitë dominuese në treg pasi ofron 100 % të shërbimit, i cili është detyrues.
Autoriteti i Konkurrencës sheh në shkelje edhe një kërkesë të SGS për qytetarët, të cilët duhet të firmosin një deklaratë, ku nëse mjetit të tyre i ndodh një dëmtim gjatë procesit të kontrollit teknik, kompania nuk merr asnjë përgjegjësi për dëmin.
Po ashtu, Autoriteti i Konkurrencës ka evidentuar gjatë një viti e gjysmë hetimi, se koncesionari ka shkelur kontratën duke mos vënë në punë Qendrat e Lëvizshme të Kontrollit gjatë kohës së fluksit, e në veçanti gjatë muajit Dhjetor, ku numri i mjeteve arrin në 60 mijë, duke krijuar radhë të gjata.
Në fund të vendimit, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që të nisë liberalizimin e këtij tregu, duke qenë se në Shtator të vitit të ardhshëm, përfundon edhe kontrata që kjo kompani ka me shtetin shqiptar.
Tv Klan