Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Pengmarrësit e Fatjon Demirlikës do të qëndrojnë në burg pa afat. Gjykata e Krimeve të rënda zhvilloi sërish me dyer të mbyllura seancën për masën e sigurisë për të akuzuarit si pengmarrës, Gjergj Cukalin dhe Ledio Lito, si dhe personit që i strehoi pas krimit në banesën e tij në Lushnje Eduard Skukli.

Mësohet se asnjë nga të pandehurit nuk ka dhënë deklarime lidhur me ngjarjen e ndodhur javën e kaluar, ku sipas policisë pas rrëmbimit të Demirlikës të sapo ardhur nga Gjermania, i kërkuan babit të tij shumën prej 100 milion lekësh të vjetra, në rast të kundërt ata kërcënuan me vrasjen e Demirlikës.

Avokatët e të pandehurve kanë thënë se varianti i paraqitur nga prokuroria nuk qëndron. Ndërkohë pritet që mes provave që do të paraqesë prokuroria përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda të jenë dhe vetë deklarimet e Demirlikës, i cili gjithsesi mendohet të ketë pasur lidhje të dyshimta me të pandehurit./tvklan.al