Lëvizja Socialiste për Integrim i dërgon një tjetër peticion kreut të selisë rozë, Edi Rama, duke shprehur përmes tij gatishmërinë për bashkimin e së majtës, nëse lidershipi socialist do të pranojë një nder kushtet e vendosura pak ditë më parë prej saj për depolitizim të institucioneve që do të administrojnë zgjedhjet.
Peticioni që njëkohësisht është një ofertë me kushte për bashkëpunim u bë publik nga zëdhënësi i grevës së urisë, Dritan Prifti, gjatë një mitingu të organizuar pasdite.
Dritan Prifti: “Ne i bëjmë thirrje Partisë Socialiste të rikthehet tek propozimi që të gjithë komisionet të administrohen nga shoqëria civile, t’i depolitizojmë, mos të jenë të partive politike. Me këtë propozim realizohet një bashkim i opozitës, bashkohen dhe deputetët atje brenda që t’i kemi të gjithë komisionet e zgjedhjeve të ardhshme jo politike. Duhet patjetër të vijë zgjidhja se nëse nuk vjen zgjidhja dhe nëse Edi Rama nuk tregon as se është njeri, atëherë ndarja jonë me Edi Ramën është përfundimtare vëllezër dhe motra”.
Ndërkaq në ditën e tetë të grevës së urisë deputetët e ngujuar në kuvend janë mbështetur sërish nga qytetarë në sheshin përpara kuvendit./tvklan.al