Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka marrë një vendim për mesfushorin Frenkie de Jong. Pritshmëritë kanë qenë të mëdha për holandezin, që kur u ble nga Ajax për 75 mln Euro në 2019. Interes për të kishte edhe nga Siti e PSG, por blaugranat e fituan garën.
Me ardhjen në ‘Kamp Nou’, mesfushori priste të fitonte shumë, por ai ka bërë të tijat vetëm La Liga dhe Copa del Rey. Ai thuajse u shit në vitin 2022 pasi Barca dhe Manchester United ranë dakord për një marrëveshje me vlerë 85 mln Euro. Por de Jong refuzoi të transferohej në “Old Trafford”, pasi dëshironte Barcelonën.
Së fundmi, emri i tij është përmendur si një ndër ata që pritet të largohet. Kontrata atij i përfundon në verën e 2026-ës dhe katalanasit kanë 12 muaj kohë për të marrë vendimin final. Synimi është mos ta largojnë atë si futbollist të lirë, por të pëfitojnë ekonomikisht.
Por sipas gazetës spanjolle “Sport”, trajneri Hansi Flick nuk dëshiron që ta humbasë De Jongun, të cilin e konsideron një lojtar të shkëlqyer, pavarësisht vështirësive që ka hasur. Synimi i gjermanit është që De Jong gradualisht të bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për Barcelonën. Për këtë, ai është zotuar se do të fokusohet te 27 vjeçari që të arrihen objektivat e paracaktuar.
Në Spanjë raportojnë se De Jong me qëllim nuk po rinovon, pasi nëse nuk i arrin pritshmëritë me katalanasit, atëherë të ketë shansin që të largohet si futbollist i lirë. Kjo do t’i japë mundësinë që në akordin e radhës, të përfitojë më shumë ekonomikisht.
Klan News