Kryeministri nuk do të shkarkojë kryetarin e Bashkisë së Tiranës pas arrestimit të tij nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion. E pyetur nga Tv Klan, Drejtoria e Informimit të Mediave i përcolli përgjigjen e kryeministrit Rama me hapat që do të ndërmarrë pas këtyre zhvillimeve.

“Jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, po nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë te jemi garantë te palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta. Cilado qoftë ajo”.

Rama nuk e sheh dosjen e Veliajt si çështje konkrete të korrupsionit, por një trillim artistik që ka prodhuar një roman policor nga akt akuza e që ngre dyshimet e tij për kapërcim të kompetencave kushtetuese nga ana e SPAK-ut.

“Nuk kemi një çështje konkrete korrupsioni për të cilën ka një aktakuzë, po jemi përpara një romani voluminoz  mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe bashkëshortes së tij. Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike. Por është ende shumë herët për te dalë në përfundime, prandaj rezervojmë të drejtën për të marrë kohë”.  

Mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama ishte edhe në Bashkinë e Tiranës.

Mësohet se kreu i qeverisë ka zhvilluar një takim rreth 30 minuta me 5 nënkryetarët e bashkisë, Anuela Ristani, Andi Seferi, Keti Luarasi, Jonida Halili dhe Frida Pashako.

Në dalje ai është shoqëruar nga nënkryetarja Anuela Ristani.

Nuk ka detaje për bisedën e zhvilluar, por besohet se në qendër të takimit ka qenë vijimi i punëve pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Tv Klan