Humbje e befasishme 1-0 ndaj Dinamos së Zagrebit në Çempions Ligë i ka kushtuar shtrenjtë trajnerit të Çelsit, Tomas Tuhel. Gjermani është shkarkuar në mënyrë të menjëhershme nga klubi londinez, duke humbur kështu vendin e punës.

Forma e dobët e klubit anglez në këtë fillim sezoni ka bërë që Tuhel të mos ketë më besimin e bordit, që ka plotësuar 100 ditët e para në krye të skuadrës.

Tomas Tuhel ishte fantastik në vitin e tij të parë te Chelsea, për të drejtuar nga stoli skuadrën në fitoren e Champions League, Superkupës së Europës dhe Botërorin e Klubeve.

“Stafi i Chelseat do të marrë përgjegjësinë për stërvitjen e skuadrës dhe përgatitjen e ndeshjeve të ardhshme, ndërsa klubi lëviz me shpejtësi për të emëruar një trajner të ri.  Nuk do të ketë komente të mëtejshme derisa të bëhet një emërim i ri i trajnerit” thuhet ndër të tjera në njoftimin e klubit anglez.

Mbetet të shihet se kush do të jetë emri i ri që do të marrë drejtimin e Chelsea, pasi për momentin ende nuk ka alternativa. Shumë emra të rëndësishëm të trajningut janë pa kontrata, teksa me interes pritet edhe trajtimi që do të ketë sulmuesi i kombëtares shqiptare, Armando Broja, mjaft i pëlqyer nga Tuhel, por i aktivizuar nga stoli në ndeshjet e deritanishme.

Klan news