Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni, konfirmoi dorëzimin e dosjes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai u shpreh i sigurt se Kosova do të dal fituese në procesin i cili nga të premten konsiderohet i hapur.

Në konferencën për media, të cilën vetë e kishte ftuar për të treguar më shumë detaje rreth përgatitjes së mbrojtjes, Hyseni ishte shumë i kufizuar në informacione.

Skënder Hyseni: “Unë prap do t’ju kërkoja mirëkuptim që para se të prezantohem në gjykatë mos të prezantohen detaje”. 

E vetmja risi që solli ai në konferencë ishte numri i faqeve të dosjes së dorëzuar në Hagë. Ekipi kosovar, sipas tij, ka përgatitur 200 faqe dëshmi. Ato, tha ai,  kanë material të bollshëm për ta vërtetuar ligjshmërinë e pavarësisë.

Fundi i këtij procesi, i cili nuk do të këtë efekt politik, sipas Hysenit, mund të zgjas, më së gjati deri në prill të vitit të ardhshëm.

Derisa Kosova do të jetë në këtë proces, Hyseni parasheh valë më të vogël të njohjeve. Mirëpo, sipas tij, ato nuk do të ndalen. Ai, madje paralajmëroi edhe një njohje të shpejtë për Kosovën. Por, këtë e bëri në mënyrën tashmë të njohur.  

Skënder Hyseni: “Lajmin e mirë mund ta marrim shumë, shumë shpejt. Nuk do të themi nga mund të vijë sepse jemi”.

Optimizmin e vet në opinionin pozitiv të Gjykatës, Hyseni e mbështeti edhe më të dhënën, se në anën e Kosovës do të deklarohen edhe shtetet më të fuqishme të botës.

Procesin, përfundimin e të cilit, Hyseni e sheh si të suksesshëm për Kosovën, e ka iniciuar Serbia. Ky vend, e konsideron shpalljen e pavarësisë së Kosovës, si vendim që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare./tvklan.al