Një kalendar ferri, i mbingarkuar me ndeshje, aq sa disa lojtarë kanë kërcënuar se do të hyjnë në grevë për shkak të angazhimeve të shumta në fushë.
Por mesa duket, kjo nuk mjafton për Mishel Platinin. Sipas ikonës franceze të futbollit, loja më popullore e botës ka nevojë për ndryshime.
Ai hedh propozimin që në ekip të mos ketë 11 futbollistë, por 10. E kjo sipas francezit, do të bëjë që në fushë të ketë më shumë hapësira, në mënyrë që t’i lejojë lojtarët të vrapojnë më shumë. Propozimi i tre herë fituesit të Topit të Artë për RMC Sport ka hapur diskutime.
“Ndoshta do të duhet që të heqim një futbollist, e të luajmë me dhjetë në një ekip. Në 1900, filluam të luanin me 11 futbollistë, por në atë kohë lojtarët vraponin më pak, ishin më të ngadaltë dhe gjithashtu më pak të fortë fizikisht. Kështu që mund të jetë gjë e mirë të kufizohet numri i lojtarëve, sepse do të lirohen më shumë hapësira.”
Ideja e ish-presidentit të UEFA-s lidhet edhe me analizën e stilit të lojë që bëhet në ditët e sotme:
“Njerëzit e brezit tim nuk shikojnë më futboll sepse nuk e gjejnë më veten. Nuk jam kritik, por në epokën time ne pamë më shumë futboll sulmues.”
Ikona holandeze e futbollit, Marco Van Basten, që punon si konsulent i FIFA-s, është përpjekur të sjellë risi në sport.
Ai e ka modifikuar pozicionin jashtë loje, ka hequr kohën shtesë, ka propozuar të aplikohen përjashtime të përkohshme, që ngjajnë pjesërisht me idenë e Platinisë. Por ulja e numri të futbollistëve shikohet me dyshim të madh, ndërsa FIFA dhe UEFA e kanë bërë kalendarin më të ngarkuar.
Klan News