E ftuar në programin “Historia ime”, në TV Klan ishte inxhinieria dhe profesoresha e njohur Luljeta Bozo. Edhe pse në moshën 78-vjeçare, Bozo duket se ka vendosur të sfidojë kohën, duke punuar me pasion çdo ditë të jetës së saj.
Në studio, ajo tregoi se ka 55 vite punë në arsim dhe asnjëherë nuk do ndihet e lodhur nga puna që bën.
Profesoresha u shpreh se ka marrë dekoratat më të mëdha, që njeriu mund të marrë në jetë. Ajo është bërë gjyshe në moshën 47 vjeç dhe stërgjyshe 69 vjeç. Familja është dhurata më e madhe për të dhe ndihet e e mbushur me gëzime të pafundme.
Mirela Milori: Sa vite punë keni?
Luljeta Bozo: Unë kam 55 vite punë dhe 55 vjet punë i kam të gjitha në arsim. E fillova në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në ’65-ën, sapo u diplomova më mbajtën atje dhe dola nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit në pension në 2010, pas 45 vjetësh punë të pandërprerë. Pastaj s’ngela asnjë ditë, dy ditë dhe më morën, më ftuan në këto universitetet private.
Mirela Milori: 55 vite punë!
Luljeta Bozo: Po, që nxjerr inxhiniera. Kështu inxhinierat që kam nxjerrë fillimisht janë gjyshër tani, mos janë bërë dhe ata stërgjyshër si puna ime.
Mirela Milori: Ju jeni gjyshe, stërgjyshe?
Luljeta Bozo: Po, po, ja kam thënë të gjithëve kam marrë dekoratat më të mëdha që mund të marrë njeriu në jetë, nuk janë dekoratat që jepen nga presidiumi dhe ato kanë vlerën e tyre, nuk e diskutoj. Kam marrë dekoratën që jam bërë gjyshe 47 vjeç dhe jam bërë stërgjyshe 69 vjeç dhe jam bërë 3 herë stërgjyshe, me dy stërmbesa dhe një stërnip. Është dhurata më e madhe dhe e kam jetën të mbushur plot me gëzime dhe kënaqësi të pafundme. Atë gëzim që ta jep fëmija, nipërit dhe stërnipërit, domethënë familja nuk ta jep asnjë gjë tjetër.
Mirela Milori: Një shtëpi e mbushur plot, ju jeni një grua që gjithmonë dukeni me zemrën plot dhe ndoshta këtë aftësi keni, që hytë edhe në shtëpitë tona në momentet më të vështira që ne patëm dhe na qetësuat. Ne ju duam, besoj e kupton këtë?
Luljeta Bozo: E kuptoj shumë!
Mirela Milori: E ndjen këtë?
Luljeta Bozo: E ndjej shumë. Është dhurata më e madhe që mund të më bëjnë. Domethënë vlerësimi më i madh është nga njerëzit e thjeshtë. Kudo që eci në rrugë, nuk i njoh fare, më përshëndesin, më urojnë, më pyesin. Domethënë është një gjë e jashtëzakonshme, të kesh dashurinë dhe mirënjohjen e njerëzve, që ti nuk i njeh fare është gjë shumë e madhe, është pasuria më e madhe që mund të ketë njeriu./tvklan.al