Irani ka mohuar përmes ministrit të jashtëm se i ka dërguar raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi Rusisë për t’i përdorur në Ukrainë. Sipas ministrit Abbas Araqchi sanksionet e reja të vendosura nga SHBA-ja, Britania, Gjermania dhe Franca ndaj vendit të tij nuk do të zgjidhin asnjë problem mes tyre.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të martën se Rusia kishte marrë raketa balistike nga Irani dhe ka të ngjarë t’i përdorë ato në Ukrainë brenda disa javësh. Bashkëpunimi midis Moskës dhe Teheranit sipas tij kërcënon sigurinë evropiane dhe tregon se si ndikimi destabilizues i Iranit shtrihet përtej Lindjes së Mesme.
Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Britania dhe Franca vendosën të martën sanksione të reja ndaj Iranit.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se sanksionet synojnë të kufizojnë më tej aktivitetet destabilizuese të Iranit dhe kanë në shënjestër individë dhe biznese me bazë në Iran dhe Rusi, duke përfshirë linjën ajrore të Iranit, “Iran Air”, për të cilën Shtetet e Bashkuara thanë se ishte e angazhuar në transferimin e armëve.
Kremlini hodhi poshtë deklarat se Irani kishte dërguar raketa në Rusi, duke thënë se pretendimet për dërgesa të ndryshme armësh ishin të pabaza.
Klan News