Kundërshtarët e parë të Shqipërisë në Kampionatin Europian, Italia nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola 0-0 në miqësoren ndaj Turqisë. Një rezultat zhgënjyes për ata tifozë që kishin mbushur shkallët e stadiumit të Bolonjës, edhe pse kundër kishte rival të fortë pjesë e turneut të kësaj vere.
Kampionët e Europës nuk arritën që të merrnin maksimumin në këtë 90 minutësh, të mbushur me shumë emra të rinj e ku baza e formacionit titullarë pritet të jetë në fushë edhe kundër kuqezinjve. Mediat italiane kanë kritika për lojën e ekipit të Spallettit, e ngadaltë dhe që gjeti pak hapësira në prapavijën e Turqisë.
Azurrët bënë pak për të shkaktuar telashe për kundërshtarët, diçka që reflektohet edhe në rezultatin pa gola. Për të tetën miqësore me radhë në fushën e saj, Italia nuk humbet, ecuri që shtrihet nga Shtatori 2016 me 4 fitore dhe po kaq barazime. Mungesa e Skamaka u ndje jo pak në fushën e lojës, me sulmuesin që cilësohet si kërcënimi kryesor në Euro2024.
Test nga i cili trajneri Spalletti nuk nxori shënimet që pritej, duke ia vështirësuar llogaritë para kampionatit Europian. Aktualisht, kampionët e Europës përbëhen nga 29 futbollistë, tre prej të cilëve do të largohen në listën përfundimtare të Europianit. I sigurtë do të jetë sakrifikimi i Provedel, ndërsa të njëjtën rrugë pritet të ndjekin edhe Folorunsho, Riçi dhe njëri mes Orsolini e Zakanji.
Dy të parët nuk u preferuan të aktivizoheshin në këtë 90 minutësh, teksa për lojtarët e krahut kishte 45 minuta në dispozicion, por pa arritur të lënë gjurmë. Spalletti do të shpallë skuadrën përfundimtare prej 26 lojtarësh një ditë para afatit të vendosur nga UEFA, me listën që pritet të zbardhet më 6 Qershor. Takimi mes Italisë dhe Shqipërisë do të luhet më 15 Qershor në Signal Iduna Park dhe ashtu siç i gjithë Euro2024 do të vij ekskluzivisht në ekranin e TV Klan.
Klan News