Maqedonia planifikon të konvokojë konferencën ndërkombëtare ministrore për problemet energjetike në rast se ndërprerja e gazit rus për Evropën zgjat në afat më të gjatë, ka paralajmëruar zv/kryeministri në qeverinë e Maqedonisë, Ivica Bocevski.
Të enjten ai është paraqitur me qëndrim të kundërt nga Ministri i Ekonomisë, Fatmir Besimi, i cili ditë më parë ka thënë se pasojat nga ndërprerja e gazit rus për Maqedoninë nuk do të jenë të mëdha.
Sipas Bocevskit nëse kjo ndërprerje zgjat edhe më tej atëherë do të pësojnë repartet më të mëdha prodhuese në Maqedoni.
Ivica Bocevski: “Jemi në kontakt permanent me kryesimin çek të Bashkimit Evropian. Ne do të vazhdojmë dhe më tej të bëjmë presion për tejkalimin e situatës. Si vetë nënshkrues i marrëveshjes për bashkësi energjetike kemi të drejtë të konvokojmë mbledhjen ndërkombëtare për këtë çështje dhe ne do ta shfrytëzojmë këtë të drejtë.”
Ndërkohë si pasojë e ndërprerjes së gazit prodhimtarinë atëherë e kanë ndërprerë dy kompanitë më të mëdha metalurgjike në Maqedoni, Makstil dhe 11 Tetori duke dërguar në pushim të përkohshëm 2 mijë të punësuar.
Eksperti ekonomik, Xhevdet Hajredini, vlerëson se këto efekte janë rezultat i ekonomisë së brishtë të Maqedonisë, e cila është e ndjeshme dhe ndaj ndikimit më të vogël të jashtëm.
Xhevdet Hajredini: “Meqenëse Maqedonia është një ekonomi e brishtë dhe mjafton një kapacitet të ketë pasoja tash sikur i kemi me fabrikën Makstil, e cila do ta ndalë prodhimin definitivisht për shkak të mungesës së Gazit. Në këtë ekonomi të vogël të Maqedonisë ajo do të shprehet po ashtu në rritjen në gjendjen, në rritjen e prodhimit për këtë produkt shoqëror”.
Nga Shkupi për TV Klan, Isen Salihu./tvklan.al
Gazetar: Isen Salihu