Forcat izraelite qëlluan në një kullë vrojtimi të përdorur nga paqeruajtësit e OKB-së në Libanin jugor, duke plagosur dy persona.
Kulla ndodhet në bazën kryesore në Naqoura. Sulmet janë dënuar nga udhëheqësit ndërkombëtarë dhe kryeministri i përkohshëm libanez Najib Mikati.
Nga një sulm në qendër të Bejrutit mbetën të vrarë 22 persona dhe mbi 100 të tjerë u plagosën. Sulmi ishte një përpjekje e dështuar për të vrarë zyrtarin e lartë të Hezbollahut, Wafiq Safa, dhe aleat i ngushtë i ish-udhëheqësit Hassan Nasrallah.
Nga ana tjetër Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thonë se kanë vrarë Muhamed Abdullah, kreu i grupit militant palestinez Xhihadi Islamik në kampin e refugjatëve Nur Shams në Tulkarm.
Ndërkaq Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken ka deklaruar se i takon popullit libanez të vendosë për të ardhmen e vendit të tyre.
“Të gjithë kemi interes për të ndihmuar në krijimin e një mjedisi në të cilin njerëzit mund të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të jetojnë atje të sigurt. Nga ana tjetër Izraeli ka të drejtë të mbrohet nga sulmet terroriste që vijnë nga Hezbollahu, nga Hamasi, apo nga kushdo tjetër, por e rëndësishme është që civilët të mbrohen.”
Blinken tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë në komunikim të vazhdueshëm për Izraelin për të mbrojtur civilët.
Klan News