Izraeli hodhi poshtë thirrjet për armëpushim me Hezbollahun, duke sfiduar aleatin e tij më të madh, SHBA-në dhe duke vazhduar sulmet në Liban që kanë vrarë qindra civilë e rritur frikën për një luftë të gjithanshme rajonale.
Një avion luftarak izraelit goditi periferinë e kryeqytetit Bejrut, duke vrarë dy vetë dhe plagosur 15. Vetëm të enjten u vranë 28 vetë. Vetë Izraeli njoftoi se vrau një komandat të lartë të Hezbollahut përgjegjës për dronët.
Në anën izraelite të kufirit me Libanin, ushtria organizoi një stërvitje që simulon pushtimin tokësor. Forca ajrore e Izraelit po planifikojnë të ndihmojë trupat në rast të një operacioni tokësor dhe do të ndalojë çdo transferim armësh nga Irani, tha komandanti i Forcave Ajrore, gjeneral major Tomer Bar.
Izraeli është zotuar të sigurojë veriun e tij dhe të kthejë mijëra qytetarë në shtëpi.
Pasi zbarkoi në Nju Jork për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kryeministri Benjamin Netanyahu u tha gazetarëve se ushtria do të vazhdojë ta godasë Hezbollahun me “gjithë forcën derisa të arrihen të gjitha qëllimet”.
Qëndrimi i Izraelit ka shkatërruar shpresat për një zgjidhje të shpejtë diplomatike pasi kryeministri libanez Najib Mikati, qeveria e të cilit përfshin elementë të Hezbollahut, shpresonte për një armëpushim.
ShBA-ja, Franca dhe disa aleatë të tjerë kërkuan një armëpushim të menjëhershëm 21-ditor. Ata shprehën gjithashtu mbështetjen për një armëpushim në Gaza.
Klan News