Ana, një telefonuese në “Aldo Morning Show” në Tv Klan është e mendimit se prindërit bëjnë dallime midis fëmijëve. Ajo bazohet në çfarë ka ndier në lëkurë gjatë rritjes. Ana tregon se ka dy vëllezër, të cilëve gjithmonë u është dëgjuar fjala dhe u është plotësuar gjithçka, ndryshe prej saj.
Sot një prej tyre është në burg dhe Ana bën dy punë për të mbajtur nënën që gjithë pensionin e saj e ndan për këtë djalë. Telefonuesja është ndier gjithnjë e huaj në shtëpinë e saj, edhe pse nëna i thotë shpesh se “e ka të vetme”.
Ana: Kur kemi qenë të vegjël dy vëllezërit e mi kishin të drejtat ekskluzive të kërkonin çfarë të donin dhe të flisnin çfarë të donin, ndërsa kur unë thosha ndonjë fjalë në familje, “pusho ti se ti je e vogla, nuk dëgjohesh ti, fjala jote…”, me pak fjalë nuk merrej parasysh asnjë lloj gjëje që unë doja ose kërkoja. Ndërsa sot, domethënë me mamin jetoj sot dhe jam e detyruar që të bëj dy punë që t’i plotësoj mamit tim gjithçka që i nevojitet, ilaçe njëra e tjetra se është pensioniste ndërsa fatkeqësisht, njëri nga vëllezërit e mi është në burg dhe mami im pensionin ia çon atij. Gabimet e tij diskutohen ndonjëherë në shtëpi, e kupton dhe gjatë gjithë kohës mami është në mbrojtje të djemve. Nuk e di, unë gjithmonë jam ndier si e huaj në shtëpi.
Aldo: Është edhe çështje mentaliteti kam përshtypjen?
Ana: Unë po them atë çfarë kam përjetuar dhe mendoj qënuk është mirë që fëmijët të diferencohen, a kupton? E thashë edhe pak më përpara, unë jam ndier si e huaj në shtëpinë time.
Aldo: Ajo nuk bëhet qëllimisht.
Ana: E di që s’bëhet qëllimisht, nuk e di më duket ndonjëherë sikur nuk më duan. Punoj e punoj pa fund, nuk ia prish qejfin për asgjë se normale është edhe e moshuar, e kam nënë, vendin e nënës nuk e zë njeri por që jam ndier gjithë kohës si veçmas. Kam mendimin që i diferencojnë dhe është gabim shumë i madh.
Aldo: Pastaj kur e pyet thotë janë fëmijët e barabartë.
Ana: “Jo”, thotë, “ty të kam të vetme, ty të dua shumë, të kam kështu, të kam ashtu”, tani kur i nevojitet ndonjë gjë më merr një çikë me të mira./tvklan.al