Tashme jo vetëm amerikan. Aktori, komediani dhe muzikanti i njohur James Belushi, mjaft i njohur përmes Televizionit Klan, në serialin “Jeta sipas Xhimit”, është edhe nënshtetas shqiptar.

Pas titullit “Nderi i Kombit” dorëzuar nga Presidenti i Republikës një vit më pare, kjo është dhurata e dytë për aktorin me origjine shqiptare, akorduar në një ceremonial gala ku merrnin pjese personalitete të njohur në vend.

Bamir Topi: “Në këtë botë globale ka njerëz që e lënë nënshtetësinë shqiptare, dhe kjo më shoqëron me një lloj hidhërimi, por ka edhe njerëz që e kërkojnë nënshtetësinë. Dhe padyshim kjo më shoqëron me një gëzim, me një gëzim të pamasë. Dhe në mënyrë të veçanërisht kur këtë e kërkon me dëshirën e tij zoti Xhejms Belushi nuk ka sesi të mos shoqërohet me këtë gëzim të shprehur edhe në publik.”

Dhe akti zyrtar i dhënies se nënshtetësisë, një gjest që e ka emocionuar thelle aktorin e njohur.

Bamir Topi: “Në mbështetje të nenit 92 pika c e kushtetutës, neni 9 pika 7 dhe nenit 20 të ligjit 83-89, datë 5/3/1998 për nënshtetësinë shqiptare, i jep nënshtetësinë shqiptare zotit James Adam Belushi”.

James Belushi: “Jam me të vërtetë i lumtur që jam sonte këtu me ju! Gjithmonë e them që unë jam shqiptar, por sot jam me të vërtetë shqiptar! Jam shumë i lumtur për këtë gjë! Sa herë që takohem me Presidentin e Republikës, ai gjithmonë më nderon me ndonjë dhuratë shumë të bukur nga ky vend i mrekullueshëm. Sonte më është rezervuar një dhuratë tepër e veçantë dhe tani që jam zyrtarisht shqiptar, dhe ajo që e bën zyrtare nuk është thjesht kjo ceremoni, por këtë vit do të paguaj edhe taksat këtu. Ngahera kam kuptuar që Shqipëria ishte pikërisht vendi ku unë ndihesha më mirë se kudo tjetër. Dhe ky udhëtim ma ka vërtetuar që unë i përkas këtij vendi. Kam miq këtu, kam një sipërmarrje, kam një ortak të ri, dhe kam një mik të madh si Presidenti Topi. Kështu që ju faleminderit shumë!”

Por, një arsye e ardhjes së Xheims Belushit këtë herë në Tiranë janë edhe projektet e tij. E pikërisht në këtë mbrëmje, protagonist Belushi, u prezantua si imazhi shëtitës në Shqipëri i Eagle Mobile.  

Ali Taskin: “Ne festojmë tre ngjarje në këtë mbrëmje. Urimet e pare shkojnë për mikun tonë Xhejms Belushi. Ne festojmë marrjen e nënshtetësisë së tij, që do të thotë se do ta shohim shumë më shpesh në Shqipëri dhe e treta, Xhejms Belushi është fytyra e Eagle Mobile për popullin shqiptar, kur sot kjo kompani ka më shumë se 1 milion abonentë. Imazhi i tij do të jete edhe shtyse më shumë për fushatën tone publicitare në ndihmë të atyre që kanë nevojë”.

Tashmë përveç Amerikës, James Belushi ka edhe një atdhe të dyte, Shqipërinë./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani