Ka patur momente shumë të rrezikshme në Lindjen e Mesme gjatë vitit të kaluar. Por ky që po kalojmë është më i keqi.
Në shtatë ditët e fundit, lideri i Hezbollahut Hassan Nasrallah u vra, Izraeli nisi pushtimin e Libanit dhe Irani lëshoi rreth 200 raketa balistike drejt Izraelit.
Fuqitë perëndimore dhe rajonale, të udhëhequra nga SHBA-ja kanë bërë thirrje për qetësimin e situatës.
Këshilli i Sigurisë në Kombet e Bashkuara bëri thirrje për përfundimin e menjëhershëm të armiqësive dhe G7 ku përfshihen SHBA, Mbretëri e Bashkuar e Gjermani, kanë bërë thirrje për përmbajtje.
Por deri më tani këto përpjekje kanë dështuar dhe Lindja e Mesme gjendet më pranë se kurrë një lufte gjithëpërfshirëse.
Ja çfarë zhvillimesh pati në 1 javë:
E premtja mbrëma: Vritet Nasrallahu.
Teksa dielli perëndonte në Bejrut më 27 Shtator, disa shpërthime të mëdha u dëgjuan në jug të qytetit. U goditën disa ndërtesa me apartamente duke lënë një krater të madh. Tymi pushtoi qiellin.
Sulmi që kishte në shënjestër një bunker nëntokësor vrau liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Ai nuk ishte parë prej vitesh në publik pas frikës se mund të vritej nga Izraeli.
Vdekja e tij mbylli një javë sulmesh të përshkallëzuara nga Izraeli që synonin Hezbollahun e që lanë më shumë se 500 të vdekur.
Një javë përpara kësaj, ndodhën shpërthimet e biperave dhe radiove që po ashtu në shënjestër kishin Hezbollahun duke lënë 32 të vdekur dhe rreth 3 mijë të lënduar. Vrasja e Nasrallahut fshiu të gjitha shpresat për uljen e tensioneve, diçka që para vetëm pak orësh shihej si e mundshme.
Një propozim prej 21 ditësh armëpushim nga SHBA-ja ishte diskutuar në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB. Ambasadori i Izraelit atje, Danny Danon, tha se pala e tij ishte e hapur për ide.
Por disa orë pas sulmit, kryeministri Benjamin Netanyahu ishte në një fluturim për në atdhe nga OKB-ja dhe çdo shpresë për mbizotërimin e diplomacisë, u shua.
Nata e së hënës: Izraeli pushton Libanin.
Tre ditë më vonë, forcat e Izraelit kaluan në Liban duke nisur një pushtim tokësor. Forca e Mbrojtjes Izraelite tha se operacionet e saj ishin të kufizuara dhe me shënjestra të qarta. Luftimet deri më tani kanë shkaktuar largimin e 1.2 milionë njerëzve nga shtëpitë e tyre.
Të paktën 8 ushtarë izraelitë janë vrarë.
Izraeli thotë se operacionet kanë synim ndalimin e Hezbollahut që të lëshojë raketa dhe dronë në kufi, diçka që është bërë pothuajse çdo ditë që kur Hamasi kreu një sulm në Izrael një vit më parë, duke bërë që të nisë lufta në Gaza.
Tashmë trupat izraelite po luftojnë në dy fronte, Gaza dhe Liban. Kjo nuk kishte ndodhur në dekada. Lufta e fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut në 2006 u përfundua me rezolutën 1701 ku përcaktonte që Hezbollahu duhet të tërhiqte forcat e saj nga jugu i Libanit.
Kjo nuk ndodhi kurrë dhe me mbështetjen e Iranit, Hezbollahu u bë edhe më i fortë. Izraeli tha se nuk dëshiron ta largojë Hezbollahun tërësisht nga peizazhi politik i Libanit, por duket qartë se është i vendosur ta godasë Hezbollahun në përmasa.
Mbrëmja e së martës: Irani sulmon Izraelin.
Ditën tjetër, rreth orës 19:30 me orën lokale, 10 milionë izraelitë u dërguan në streha bombash pasi Irani lëshoi rreth 200 raketa balistike. Në veprim u vu sistemi i mbrojtjes ajrore si dhe aleatët e saj, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, një shenjë tjetër për zgjerimin e konfliktit.
Ushtria tha se shumica e raketave u interceptuan, por një numër i vogël i tyre goditën në Izraelin qendror dhe jugor. Personi i vetëm që u raportua i vdekur ishte një palestinez në Bregun Perëndimor.
Sulmi duket të jetë më shumë demonstrativ dhe nuk jep sinjalin e një dëshire të Iranit për t’u përshirë në një luftë gjithëpërfshirëse. BBC shkruan se nëse vjen puna tek lufta Irani e di që do të humbë dhe keq. Madje mund të jetë fundi i Republikës Islamike.
Izraeli me aleatët e vet perëndimorë dhe fqinjët e Lindjes së Mesme gati për të rrëzuar dronët iranianë, është një superfuqi rajonale.
Irani që ka një ekonomi të brishtë dhe udhëhiqet nga një qeveri jopopullore nuk mund të krahasohet. Ajo nuk ka as llojin e aleatëve të gatshëm për të shkuar në mbrojtjen e saj në rast të një përballjeje.
Udhëheqësi suprem Ayatollah Khamenei bëri thirrje sfiduese në lutjet e së premtes në Teheran, por Irani e di se nuk mund të lejojë që situatat të përshkallëzohet shumë më tej.
Çfarë na pret?
Pavarësisht humbjeve të konsiderueshme, Hezbollahu është betuar që të luftojë në Liban. Historia na tregon se Izraeli e ka pasur të lehtë të hyjë në Liban, por të vështirë që të largohet.
Sa i përket përgjigjes së Izraelit për Iranin, rajonin por edhe bota janë në “gjemba” që prej të martës.
Presidenti amerikan Joe Biden ka dekurajuar idenë e Izraelit për të goditur fabrikat bërthamore dhe magazinat me karburante. Një reagim i ashpër duket i pashmangshëm dhe retorika e fundit e Benjamin Netanyahu-t sugjeron se ai mund të jetë duke menduar për një ndryshim të regjimit në Iran.
Por objektivat e menjëhershëm të Izraelit janë shumë më pranë shtëpisë. “Fitorja totale” në Gaza dhe heqja e rrezikut nga Hezbollahu në veri.
Është e vërtetë që gjatë vitit të kaluar, sulmet kanë ardhur nga të gjitha këto drejtime, edhe pse grupet pro-iraniane në Irak dhe Siri deri më tani kanë paraqitur pak kërcënim real.
Ende nuk po shohim një luftë rajonale gjithëpërfshirëse, por me kaq shumë “lojtarë” që ndjejnë se kanë një pjesë në të, lufta në Gaza ka pësuar një metastazë në mënyrë dramatike.
Shkrim nga BBC
Përshtati në shqip për Tvklan.al, Gramoz Pisha