#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #valentina#brixhilda#lumturodhimbjen#bamiresi#vullnet#lejla#shume#autizem#25vjec#veshtiresi #dhimbje#qender
“Binjakët u diagnostikuan me spektrin e autizmit, bashkëshorti ndërroi jetë”, Valentina: M’u shkatërrua bota
Jeta e ka vendosur Valentinën përpara sprovave tmerrësisht të vështira. Në muajin e ndërgjegjësimit ndaj autizmit, historia e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty” rrëfen sa sfiduese është kjo diagnozë, në rastin e saj me dy prej fëmijëve.
Gjatë viteve të trazirave në Shqipëri, Valentina tregon për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se ndodhej në Greqi bashkë me familjen kur erdhën në jetë binjakët që sot janë 25 vjeç. Pas thuajse një viti, ajo kuptoi se diçka nuk shkonte dhe analizat treguan se të dy kanë spektrin e autizmit. Kjo nuk do të ishte e vetmja sprovë për familjen pasi bashkëshorti i Valentinës ndërroi jetë papritur.
Valentina: Lindin fëmijët binjakë, vijnë në jetë të dy, ishte gëzim i madh por diku në rritjen e tyre ngecën.
Ardit Gjebrea: Pas sa kohësh?
Valentina: Pas një viti gati. Kisha kuptuar që diçka nuk shkonte me rritjen e tyre, me zhvillimin e tyre mendor sesa fizik sepse fiziku i tyre ishte shumë i mirë. E kisha shprehur edhe te mjekët por më thoshin që mos u shqetëso se janë në rritje dhe mua më shqetësonte më shumë e folura e tyre sepse ata nuk belbëzonin.
Ardit Gjebrea: Ndërkohë që kishte eksperiencën me djalin e parë.
Valentina: Kisha sigurisht eksperiencë. Filluam menjëherë të bënim të gjitha ekzaminimet, të gjitha analizat që duheshin për këtë gjë dhe na thanë që kanë spektrin e autizmit të dy fëmijët.
Ardit Gjebrea: Të dy?
Valentina: Të dy. Aty na u shemb bota. E kemi përjetuar shumë keq. Dihet…
Ardit Gjebrea: Kalvari i gjatë…
Valentina: I vuajtjeve, ato mendonim, si do të jetë rritja e tyre, si do të jetë zhvillimi i tyre, si do të luftojmë ne me ta, si do të ecnim me bashkë me ta? Nuk mjaftoi vetëm kjo, por pas 4 vitesh që kishim marrë diagnozën e fëmijëve, bashkëshorti humb jetën, largohet nga jeta nga një infarkt. Aty jeta ime u shkatërrua e gjitha.
Ardit Gjebrea: E vetme, me tre djem.
Valentina: E vetme, me tre fëmijë sepse njerëzit e mi s’i kisha pranë, nuk dija nga t’ia filloja. Djali i madh e përjetoi shumë keq, ishte në moshën 16 vjeç sepse ishte shumë i lidhur me babain. Pastaj momenti që ai ndërroi jetë, ne e kishim pranë sepse ndërroi jetë në shtëpi.
Gjeste me zemër të madhe! Humbi prindërit nga kanceri, dhuruesja anonime përjetëson kujtimin e tyre
“Ka Një Mesazh Për Ty” është jo vetëm rubrika e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan ku ndahen rrëfime njerëzore, histori të rralla por edhe shembuj të veprave të mira njerëzore.
Pas rrëfimit të Valentinës dhe sfidave të saj si nënë e vetme binjakësh me spektrin e autizmit, e cila jo vetëm nuk ka mundësi financiare, por ka edhe vështirësi për t’i menaxhuar fizikisht dhe psikologjikisht të dy fëmijët, vjen një rreze shprese.
Moderatori i programit, Ardit Gjebrea ndan me të një histori. Një zonjë që jeton në Itali e cila brenda 3 viteve ka humbur dy prindërit për shkak të kancerit, ka shprehur dëshirën për të përjetësuar emrin e tyre.
Nëna e saj ishte një ndjekëse e rregullt e programit dhe dëshironte të ishte pjesë e tij, por kjo nuk ndodhi. Në kujtim të saj por edhe veprave të mira, zonja ka dhuruar një shumë simbolike për dikë që ka nevojë për këto para të cilat mbajnë emrin e prindërve. Gjesti fisnik pasohet edhe nga Valentina e cila këto para preferon që t’i kalojnë jo vetëm fëmijëve të saj, por qendrës “Lumturo dhimbjen” ku ata shkojnë së bashku me fëmijë të tjerë me spektrin e autizmit.
Ardit Gjebrea: Një zonjë e cila jeton në Itali, tregon se është bijë e dy prindërve të nderuar në qytetin e Durrësit. Babai i saj ka punuar si kryeinxhinier në kantierin detar dhe 10 vitet e fundit si kryeinxhinier i hekurudhave shqiptare, ndërsa nëna e saj ka punuar për 25 vite në Drejtorinë e Tatimeve dhe Taksave në Durrës. Në janar të vitit 2020, pas një lufte me kancerin, babai i saj ndërron jetë. Të paktën ajo u ndodh në Shqipëri dhe bashkë me nënën e saj, e nderuan babain siç duhet.
Por pas një viti, ishte tashmë nëna e saj që u diagnostikua me kancer dhe pas një lufte gati 2-vjeçare, edhe ajo në prill të vitit 2023, pra një vit më parë, u nda nga jeta. E bija shprehet këshut: “Nëna më grisi edhe atë cipë të hollë që ma mbante zemrën”. Dy vitet e fundit nëna e saj i kaloi në Milano ku një nga instrumentet kryesorë të shfokusimit nga sëmundja ishte “E Diela Shqiptare”.E bija tregon: “Mamaja ime e ndiqte çdo episod nga 2-3 herë. Unë nuk kisha kohë që ta ndiqja për shkak të dinamikave të jetës dhe mami e komentonte programin me mua duke më bërë përmbledhjen e javës. Gjithmonë më thoshte që kishte shumë dëshirë të më sillte në “Ka Një Mesazh Për Ty” dhe e gjithë bota le ta jetonte dashurinë dhe forcën që ne i jepnim njëra-tjetrës.
Por në 17 prill, mamaja e saj e dashur kishte ditën e saj të 1-vjetorit të ndarjes nga jeta. Siç edhe janë traditat, organizohet një drekë apo një ceremoni me personat më të afërt, por e bija dëshironte shumë që për këtë ditë të shënuar të bënte diçka më kuptimplotë, një ndihmë monetare ndaj dikujt që ka nevojë për diçka dhe që do të jetë në kujtim të prindërve të saj të dashur. Ajo shprehet: “Do doja që bota ta dëgjojë sërish emrin e tyre dhe veprat e tyre të mira le të vazhdojnë edhe pas vdekjes”.
Ajo ka një buxhet simbolik dhe tha: “Dikush mund të ketë nevojë për këtë shumë dhe mund t’i hyjë në ndihmë. Nuk janë shumë, por mua më është dashur shumë mundim që t’i kursej ato para dhe do të kisha shumënevojë që ju të gjenit dikë që vërtet ka nevojë për një suport financiar”. Pasi ne i treguam historinë tuaj, ajo vendosi që këtë shumë të ta japë ty.
Valentina: Shumë faleminderit!
Ardit Gjebrea: Dhe mbi të gjitha, duke dhënë një shembull për të gjithë, nuk dëshiron të shfaqet në program pasi dëshiron që të përmendet vetëm emri i prindërve, Vullnet dhe Lejla Pepellashi.
Valentina: Shumë faleminderit! qofshin të përjetshëm prindërit e saj!
Ardit Gjebrea: Faleminderit! Dhe në fund, na tha: “Askush nuk të përgatit sesi të përballesh me humbjen e një të afërmi, aq më pak të të dy prindërve. Nuk do doja kurrë të shfaqesha dhe të flisja për këtë temë, por do të doja jo vetëm të kujtoj figurën e tyre, por të realizoj dëshirën e mamasë time për të qenë pjesë e programit tuaj dhe të solidarizohem me dikë”.
Valentina: Meqenëse ka qenë dëshira e zonjës, edhe dëshira ime është që kjo shumë t’i kalojë qendrës ku shkojnë fëmijët atje dhe marrin terapinë.
/tvklan.al