Zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris është de-fakto kandidatja e demokratëve për zgjedhjet presidenciale. Kreu i Partisë Demokratike të ShBA-së, Jaime Harrison konfirmoi se Harris ka marrë mjaftueshëm vota nga delegatët demokratë. Votimi online do të zgjasë deri të hënën ditë kur Harris do të pranojë zyrtarisht kandidimin.
Ajo do të bëhet gruaja e parë me ngjyrë dhe e para aziatike amerikane që do të udhëheqë një parti të madhe. Delegatët filluan të hedhin votat e tyre virtuale që të enjten.
Ndërkohë të hënën pritet të zbulohet dhe kandidati për zëvendës president. Për këtë Harris është konsultuar edhe me presidentin Biden.
Guvernatori i Pensilvanisë, Josh Shapiro është një kandidat i mundshëm zv/president. Por gjithashtu emrat e disa guvernatorëve të tjerë po qarkullojnë deri në një zgjedhje përfundimtare nga Harris.
Përveç ngjitjes së pandalshme në sondazhe, Harris ka thyer rekordin në mbledhjen e ndihmave financiare për fushatën. Ekipi i saj njoftoi se kishte mbledhur 310 milionë dollarë në Korrik, më shumë se dyfishi i fondeve të mbledhura nga Donald Trump.
Ndërsa financimi luan një rol thelbësor në fushatat amerikane, shpesh në shuma astronomike, kandidatja e re demokrate kishte mbledhur 200 milionë dollarë në më pak se një javë pas tërheqjes më 21 korrik të Joe Biden.
Klan News