Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Firma italiane e artikujve sportiv Beloti do të jetë sponsori zyrtar i klubit të futbollit të Elbasanit për tre vitet e ardhshme. Presidenti i klubit Arben Laze dhe përfaqësuesja e firmës italiane Maria Tereza Beloti, ka nënshkruar kontratën. Gjatë takimit është theksuar dhe objektivi i ardhshëm i ekipit, i cili synon të renditet në tre vendet e para të klasifikimit të ligës superiore.
Dy ortakët dhe financierët e klubit Arben Laze dhe Gentian Çerraga kanë theksuar faktin se sponsorizimi i klubit krijon një detyrim edhe më të madh në drejtim të ecurisë të ekipit.
Por në Laç situata paraqitet krejt e ndryshme. Presidenti i ekipit të Laçit Agim Myrtja dhe trajneri i këtij ekipi Luigj Doda, kanë dhënë dorëheqjen. Dorëheqja e tyre ka ardhur si pasojë e mosmarrëveshjeve me drejtuesit e bashkisë, që sipas tyre nuk kanë përmbushur kërkesat. Pas dorëheqjes, kryetari i bashkisë ka takuar teknikun laçian Luigj Doda, i cili pas takimit shprehet.
Luigj Doda: “Unë paraqita të gjithë platformën çfarë mund të bëjë një ekip profesionist për t’u përfaqësuar denjësisht në ligën superiore. Platforma ime nuk gjeti mbështetjen e tyre pasi mungon ana financiare. Kjo vjen për shkak se nuk kemi as sponsor, bashkia ka bërë maksimumin me aq fonde sa ka kaluar, 20 milion lekë të vjetra për fazën përgatitore. Këto janë të pa mjaftueshëm për të hyrë në një kampionat të ligës superiore. Unë dhashë dorëheqjen e pakthyeshme, deri në momentin kur të gjehet një sponsor”.
Ndërsa kryetari i bashkisë kërkon rikthimin e trajnerit dhe presidentit të ekipit pranë skuadrës./tvklan.al