Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Zgjidhja politike e krizës në Kosovë ka sjellë sot në Shqipëri Sekretarin e Përgjithshëm të OKB, Kofi Anan. Anan dhe bashkeshortja e tij Nein kanë shkelur tokën shqiptare rreth orës 10 e 30, ku në aeroportin e Rinasit janë pritur nga Presidenti Mejdani, zonja e tij, përfaqesues të Qeverisë Shqiptare si dhe diplomatë të akredituar në Tiranë. Salla e aeroportit të Rinasit ka qenë salla e parë e takimeve të Sekretarin e Pergjithshem te OKB-së.

Anan u takua me agjensi të organizatës që drejton të vendosura në Shqipëri  dhe me pas me përfaqësues të organizatave joqeveritare, që kanë ndihmuar për përballimin e situatës të krijuar në Shqipëri nga fluksi i madh i të ardhurve. Bashkëpunimi juaj tha Anan është një sfidë përpara situatave të vështira të krijuara me ardhjen e refugjatëve. Pas takimit Anan ka deklaruar:

Kofi Anan, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së:- “Ne patëm një diskutim pune të suksesshëm me përfaqësues të agjensive të OKB-së dhe shoqatave joqeveritare. Ne kemi përpara një sërë sfidash dhe unë mendoj që bashkëpunimi midis tyre është i domosdoshëm. Unë pashë se këto agjensi e shoqata kanë punuar së bashku. Mesazhi i tyre është gadishmeria për ndihmë tani e në të ardhmen”.

Ndërsa i pyetur për misionin e tij në Shqipëri, Anan tha:- historitë e tmerrshme që kam dëgjuar dje nga shqiptarët e shpërngulur me dhunë nga Kosova, na shtyjnë në për të itensifikuar përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje politike. Herët a vonë kosovarët do të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të mbrojtur nga organizmat e të drejtave të njeriut.

Më pas Anan i shoqëruar nga Mejdani e përfaqësues të qeverisë e parlamentit shqiptar është nisur drejt Kukësit për të parë nga afër gjendjen e të ardhurve nga Kosova të vendosur atje./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego