Tërmeti i 26 Nëntorit la shumë pasoja. Viktima, të plagosur dhe shumë ndërtesa të dëmtuara. Shkatërrimit nuk i shpëtoi as shtëpia e Muhamet Biçakut, 83-vjeçarit, i cili banon në Durrës, por me origjinë është nga fshati Qarrishtë.

Por për rindërtimin e banesës së tij ka menduar një grup përkujtuesish të Holokaustit. Shkak është bërë veprimi i babait të Muhametit, Mefailit, 75 vjet më parë. “Times of Israel” shkruan se gjatë Holokaustit, Mefail Biçaku, së bashku me vëllain, Njaziun, strehuan rreth 20 familje hebreje.

Grupi, i cili fokusohet në përkujtimin e veprimeve që u bënë për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë mbledhur deri më tani 10 mijë dollarë për të rindërtuar shtëpinë. Jonny Daniels, i cili është edhe themeluesi i këtij grupi deklaron se donacionet pritet të rriten dhe shtëpia shkon deri në 45 mijë dollarë.

Muhamet Biçaku ishte vetëm 5 vjeç atëherë. Në emër të familjes ai ka marrë një titull për kujdesin dhe kurajon e treguar. Ndërkohë babai dhe xhaxhai i Muhametit njihen me titullin e personave që nuk janë nga Izraeli, por kanë rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar hebrenj nga Holokausti.

“Ata u ofruan njerëzve tanë gjërat më bazike, si strehimi gjatë kohërave të vështira. Është e qartë që ne duhet të mblidhemi sot që t’u kthejmë nderin”, thotë Daniels. /tvklan.al