Lajme Arkiva 2003
Debati i djeshëm në parlament mbi abuzimet me mediat nuk ka prekur vetëm politikën por edhe vetë mediat. Akuzat dhe replikat e ashpra kanë prekur pronarë dhe botues. Koço Kokëdhima është akuzuar nga deputetë të opozitës se ka përfituar tendera në prag të fushatës zgjedhore.
Koço Kokëdhima: Ka dy kategori të spikatura të cilat janë kundër nesh dhe investohen kundër nesh pa u interesuar për përshtypjet që ato lënë në treg te njerëzit, pa u interesuar për respektimin e disa normave minimale të etikës dhe të respektimit të së vërtetës. Opozita nga njëra anë nuk është e lumtur me qëndrimet tona mesa duket dhe për këtë shkak, me vend dhe pa vend, në çdo rast që do i jepet mundësia përpiqet që të krijojë një opinion një mendim, një perceptim negativ për mediat tona. Të njëjtën gjë bëjnë edhe një numër konkurrentësh të cilët e kanë dorëzuar tregun e shtypit. Jo për arsye të defekteve, të dëmeve që kemi bërë ne ndaj tyre, por për faktin se ato me kokëfortësi nuk kanë respektuar ligjësitë e një produkti cilësor, një produkti në shërbim të klientëve, në shërbim të blerësve, në shërbim të konsumatorëve, në shërbim të qytetarëve, në shërbim të interesit publik. Duke qenë së i kanë braktisur parimet profesionale, parimet e etikës dhe të së vërtetës, tregu është një fuqi madhore që të ndëshkon dhe i ka ndëshkuar që ti mbyllet rruga e spekulimeve, rruga e deformimeve, rruga e një kënaqësie absurde e perversë që të shajmë këdo, të përbaltim gjithçka dhe të vazhdojmë të manifestojmë një mungesë të lartë të respektit për dëgjuesit.
Në parlament u përmend edhe drejtuesi i gazetës “Tema”. Mero Baze si pas deputetëve demokrat është një nga botuesit që kanë pësuar nga shteti.
Mero Baze: Mendoj se fjalimi i kryeministrit ishte një përpjekje maksimale e tij për t’ju shmangur problemeve reale me të cilat ndeshet shtypi shqiptar sot. Zoti Nano sot i iku përgjegjësisë kryesore që ai ka si Kryeministër i Shqipërisë në raport me shtypin e cila është prishja e tregut në raport me shtypin, humbja e rregullave, ndëmtimi i sistemit në themel të medias në Shqipëri . praktikisht problemi kryesor me të cilin ndeshet shtypi shqiptar nuk janë ato krisjet e vogla fizike nuk janë bile as gjyqet e togave të gjyqtarëve, por mendoj se goditja thelbësore që i ka dhënë kjo qeveri shtypit të lirë në Shqipëri, është fakti që ai ka krijuar një treg infomrmal të shypit ku në Shqipëri ka gazeta dhe televizione të cilat nuk falimentojnë kurrë pavarësisht se janë jo kompetitive, nuk janë të marketizuara sipas rregullave të tregut. Një dorë e fshehtë që zgjatet nga zyrat e qeverisë mban në këmbë një shtyp i cili relativizon të vërtetat që thuhen në shtyp.
Ndërsa gazetari Blendi Fevziu dhe njëkohësisht drejtori i gazetës “Korrieri” mban këtë qëndrim për debatin e djeshëm.
Blendi Fevizu: Po të vini re duke filluar që nga viti 2002 e në vazhdim raportet e institucioneve ndërkombëtare duke arritur deri të i fundit, ai i OSBE-së i lexuar nga vetë ambasadori Lipponen ka nënvizuar faktin se në Shqipëri ka probleme të lirisë së mediave dhe tentativa për të redaktuar ose për të përzgjedhur atë. Brenda kësaj logjike unë them se situata e mediave është e rënduar dhe debati parlamentar ishte ne momentin e duhur. Duke ndjekur pjesën më të madhe të debateve, duke i zhveshur ato nga falsiteti normal ose propaganda politike e forcave respektive që ata përfaqësonin besoj se do të ishte më mirë dhe më e logjikshme që të ndiqej linja e debateve të zotërinjve Blushi dhe Zogaj, të cilët kërkuan më shumë që të gjenin zgjidhje për problemin se sa për të debatuar nëse ekziston ose jo si problem. Duhet ta pranojmë të gjithë se problemi i lirisë së mediave ekziston, është një problem që ka arritur në një stad të ndryshëm nga ai i viteve ’92-’97 apo se në ’97-2002, por çështja është te mënyra se si do të gjendet zgjidhja në këtë rast. Pra cilat do të jenë kriteret që do të përdoren për pronarët e mediave, cilat do të jenë kriteret që do të përdoren për licencimin e mediave, cilat do të jenë mundësitë që shteti të zbatojë ligjet aktuale apo të adoptojë ligje të reja të cilat do të strukturojnë më mirë punën e mediave./tvklan.al