Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet në mjediset e reja të godinës “Liria” në Qytetin Studenti, ku do të funksionojë përkohësisht Kolegji i Europës, si dhe vizitoi konviktin e transformuar.
Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës: Jam entuziast që Bashkia e Tiranës ka qenë një partner lokal për Kolegjin e Europës dhe rektorja Mogherini e ka pasur me shumë merak, që të jemi në afat, dhe besoj se jemi në afat. Kemi bërë një kolegj me standarde të BE-së në kohë rekord. Sigurisht, kjo është një seli e përkohshme e kolegjit, përpara se të vijë ndërtesa ultramoderne, për të cilën edhe Kryeministri, gjithë qeveria, po mobilizohet për ta përgatitur. Por, besoj se 2-3 vitet e para do operojmë këtu.
Kryebashkiaku tha se tre studentët shqiptarë të Kolegjit të Europës kanë marrë bursë nga bashkia.
Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës: Më vjen mirë që kontributi i Bashkisë së Tiranës janë edhe tre bursat për tre studentë shqiptarë, të cilët i mbajmë më afër zemrës sonë, se e dimë që do jetë një investim, jo një shpenzim. Ne kemi investuar në tre talente, të cilët me gjasë do të jenë diplomatë të ardhshëm dhe do të çojnë lart Shqipërinë, në këtë ambicie të jashtëzakonshme, duke ngritur flamurin, siç e ngritëm në Paris, por për ta ngritur tani në një tjetër komunitet, atë të Bashkimit Evropian.
Kampusi i Kolegjit të Evropës në Tiranë do të ofrojë një program akademik me standarde evropiane për studentët dhe profesionistët nga Shqipëria, rajoni i Ballkanit Perëndimor nga 21 shtete të ndryshme BE-së.
Klan News