Vetëm 24 ditë na ndajnë nga emocionet e Euro 2024. Shqipëria po përgatitet për t’u përballur me kundërshtarët e saj dhe sipas Alban Bushit, shanset janë mjaft të mira. Në një bisedë me “Aldo Morning Show” në Tv Klan, futbollisti analizoi avantazhet e kombëtares ku sipas tij, një prej tyre është vlerësimi i çdo minute në fushë nga lojtarët, 7 prej të cilëve janë në Seria A. Bushi shprehet se kombëtarja e mëparshme kishte frymë grupi, por më pak disiplinë ndërsa tani janë më profesionistë.

Aldo: Ky është formacioni më i mirë që kemi ne për momentin?

Alban Bushi: Grupi më i mirë le të themi që mendoj që po, ka shumë alternativa Shqipëria tani si asnjëherë më parë faktikisht, plus edhe këtu kanë dalë lojtarë shumë të mirë nga Shqipëria por kemi marrë lojtarë edhe nga jashtë dhe kjo është për t’u vlerësuar. Kemi një grup shumë të gjerë, kjo është diçka e mirë. Dikur ne kishim problem kush do të na zëvendësonte një sulmues ose një mesfushor, kurse tani s’ka problem fare, madje trajneri ka vështirësi.

Aldo: A janë këta lojtarët grup siç keni qenë ju, grup? Ishit më grup edhe si frymë kam përshtypjen?

Alban Bushi: Kjo krijon atmosferë, krijon grup kurse tani është diçka më ndryshe, tani janë profesionistë pavarësisht se ata kanë telefonin që merren gjithë ditën me telefonin, por te puna janë profesionistë. Ne kemi qenë më pak profesionistë në atë kohë sepse merreshim edhe me gjëra të vogla që ndikojnë në rezultat.

Aldo: Por nejse, krijojnë atmosferë ato.

Alban Bushi: Krijonin, por nuk kemi qenë kaq  të disiplinuar në fushë, ishim më pak, regjimin nuk e kemi mbajtur ashtu siç duhet.

Ndeshjet e Euro 2024 do të keni mundësi t’i ndiqni ekskluzivisht dhe pa pagesë në ekranin e Tv Klan./tvklan.al