Lajme Arkiva 2003
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka organizuar tryezën e rrumbullakët me titull “Shkëmbime mendimesh për përmirësimin e mëtejshëm të kodit zgjedhor”. Pjesëmarrësit në këtë takim kanë qenë specialistë, juristë, përfaqësues të organizatave jo fitimprurëse dhe organizmave të huaj, gazetarë të cilët kanë monitoruar në përgjithësi zgjedhjet në vend.
Komiteti shqiptar i Helsinkit si një organizatë jo qeveritare me përvojë në fushën e monitorimit të zgjedhjeve lokale dhe qendrore është angazhuar edhe këtë vit në monitorimin e zgjedhjeve të 12 Tetorit. Ata kanë studiuar të gjitha raportet e vëzhguesve dhe janë duke përgatitur një raport përfundimtar.
Si rezultat i këtij vëzhgimi dhe ndjekjes në përgjithësi të procesit zgjedhor kanë arritur në përfundimin se kodi zgjedhor edhe pse i miratuar para 7 muajsh në disa drejtime është e nevojshme të rishikohet.
Ishte pikërisht kjo arsyeja që u organizuar një tavolinë e rrumbullakët me ekspertë të ligjit dhe përfaqësues të policisë civile, ku janë diskutuar disa nga aspektet më problematike të zgjedhjeve të sivjetshme. Komisionet e zgjedhjeve dhe listat e zgjedhësve kanë qenë dy pikat të cilat janë diskutuar më tepër në këtë seminar./tvklan.al