Komuniteti maqedonas në vendin tonë nuk njeh shifrat e Censit 2023 që u publikuan nga INSTAT. Sipas partisë Aleanca Maqedonase për Integrim shifrat e censit janë të falsifikuara.
Vasil Strejovsku, Partia Maqedonase për Integrim: Shifrat për komunitetin maqedonas janë të manipuluara dhe të falsifikuara. Regjistrimi i numrit të popullsisë nuk ishte i dejtë dhe transparent, nuk u zbatuan standardet ndërkombëtare dhe ato të Eurostatit. Mënyra se si u zhvillua Censusi vitin e kaluar dhe mbledhja e të dhënave mbi përkatësinë etnike është kryer me shkelje të shumta gjatë procesit.
Sipas përfaqësuesve të kësaj partie shumë banorë të Bashkisë së Pustecit nuk janë regjistruar, ndërsa qytetarët janë kërcënuar që të deklarohen si bullgarë.
Vasil Strejovsku, Partia Maqedonase për Integrim: Përpara fillimit të Censusit, por edhe gjatë Censusit në zonën e Prespës, Gorës dhe Gollobërdës ku jeton komuniteti maqedonas kanë ardhur përfaqësues të institucioneve bullgare të cilët kanë dhuruar ndihma të ndryshme, por edhe kanë bërë propagandë që banorët të deklarohen bullgarë pasi do të pajiseshin me pasaporta bullgare. Persona të komunitetit maqedonas të cilët kanë aplikuar për pasaporta bullgare dhe janë në proces për marrjen e pasaportës si para fillimi të Censusit ashtu edhe gjatë Censusit po kontaktoheshin nga ambasada bullgare dhe nga ndërmjetësuesit të deklarohen bullgarë në Census përndryshe nuk do të marrin pasaportën.
Komuniteti maqedonas ka një kërkesë për autoritetet shqiptare.
Vasil Strejovsku, Partia Maqedonase për Integrim: Kërkojmë realizimin një Censusi të ri në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe nën monitorim ndërkombëtar për të garantuar një proces të ndershëm dhe transparent që reflekton realitetin etnik në Shqipëri.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT rezulton se në vendin tonë janë 2281 banorë të komunitetit maqedonas.
Klan News