Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Fatos Nano:- “Të dashur shoqe dhe shokë socialistë të kryeqytetit, motra dhe vëllezër, të nderuar miq dhe të ftuar. Është kënaqësi dhe privilegj të marrësh pjesë në konferencën tuaj, sepse socialistët e Tiranës kanë qenë dhe mbeten organizata më e madhe dhe më e rëndësishme e partisë së socialistëve shqiptarë. Unë vijë sot këtu, në radhë të parë si militant i kësaj organizate, sepse bëjë dhe jetën time të partisë me ju, por jam këtu për të ushtruar dhe përgjegjësitë e mija përfaqësuese si kryetar i PSSH, për të dhënë llogari sipas standardeve demokratike në këto kapacitete dhe natyrisht për t’ju shërbyer si deri më sot. Më lejoni t’ju sigurojë ju dhe Edin, qysh në fillim, se prapë nuk do t’ju them asnjë gjë që nuk e dini, sepse unë e di shumë mirë që ju dini të konkurroni dhe të fitoni. Prandaj, duke qenë i bindur se partia jonë, vazhdon të mbetet e duruar për të dëgjuar të gjithë të paduruarit edhe kjo konferencë ashtu si dhe të tjerat deri më tani, reflekton normalitetin e jetës tonë demokratike dhe shpresoj, që me fjalimin e fundit të Edit, mbaruan dhe fjalimet horror brenda nesh. Kjo konferencë, mbyll ciklin e analizave dhe të vendimmarrjes në strukturat e partisë në të gjithë Shqipërinë dhe i hap rrugën zhvillimeve të punimeve të kongresit tonë të 6-të. Të gjitha konferencat në mënyrë të përgjegjshme kanë kryer një proces të thellë analizash, për veprimtarinë politike dhe qeverisëse të PS, duke përcjellë për në kongres, rekomandime të vlefshme për vendimmarrje të dobishme që do të përmirësojnë në mënyrë rrënjësore, punën dhe aksionin tonë politik, si forcë kryesore drejtuese e mazhorancës. Më lejoni të sjellë tek ju faktin, se të gjitha konferencat që u mbyllën dje, riafirmuan në mënyrë institucionale konsolidimin e vlerave tona fondamentale të vlerave të socialdemokracisë që kemi promovuar për 13 vjet rresht në Shqipëri, shfaqën përpjekje reformuese dhe vetëdije të lartë politike me të cilat garantuam së bashku anëtarësimin e plotë në Internacionalen Socialiste, në organizatën më të madhe dhe më të vjetër politike të globit. Ta gëzojmë së bashku këtë anëtarësim!

Konferencat e partisë që mbyllen sot janë shquar për një analizë të përgjegjshme të zhvillimeve të katër viteve të fundit. Analiza ka qenë e thellë dhe e orientuar si në veprimtarinë e jetës së partisë edhe në qeverisjen që na ka besuar. Konferencat kanë synuar të zgjerojnë dhe instituojnë normat e një demokracie të brendshme me rregulla të qëndrueshme. Edhe njëherë gjatë këtij procesi, ne treguam se mbetemi partia më e madhe, më demokratike, më përfaqësuese e vlerave progresistë të shoqërisë shqiptare. Në këtë proces, hapësirat tona të lirisë, të konkurrimit të ideve dhe alternativave, të tolerancës dhe respektimit të mendimit ndryshe, jo vetëm nuk u kërcënuan asnjë çast, por fituan edhe dimensione të reja.

Në fund të këtij procesi analizash dhe kontaktesh politike me gjithë partinë, ne mund të deklarojmë krejtësisht të qetë në PS nuk ka asnjë depresion, në PS zien mendimi i lirë dhe përgjegjësia rritet edhe më shumë për shkak të detyrimeve politike dhe qeverisëse që na kanë besuar shqiptarët prej vitesh. Shoqe dhe shokë, katër vitet që ndajnë dy kongreset tona zgjedhore, u karakterizuan nga një veprimtari intensive, politike dhe qeverisëse dhe një varg arritjesh të rëndësishëm që mbeten për jetë në librin e historisë së re të PS. Në kongresin e 3-të ne adoptuam një varg rregullash dhe ndryshimesh në statut, të cilat kishin në themel barazinë dhe përgjegjësinë e çdo anëtari të partisë, pavarësisht detyrave përfaqësuese, përgjegjësisë gjinore, krahinore e aq më pak pasurore. Këto katër vjet prodhuan vlefshmërinë dhe domosdoshmërinë e këtyre rregullave. Me paketën e rregullave të adoptuara dhe të zbatuara së bashku në këto vite dhe jo me fjalë boshe, ne i hoqëm çdo individi apo forumi mundësitë për autoritarizëm, për vetëgjyqësi, apo për arrogancë. Kjo për arsyen e thjeshtë se çdo individ, forum a grup është pjesë koherente e procesit te llogaridhënies dhe vjen natyrshëm në këtë kontakt pas një procesi të hapur konkurrimi, për t’u bërë pjesë përbërëse e ekipit tonë të madh politik dhe qeverisës, i cili vazhdon të votohet në shumicë.

Kongresi dhe përsëritja e zgjedhje në Tiranë, janë një shans, për të gjithë ata që besojnë se çdo ditë e më shumë po kuptojnë vullnetin e pakthyeshëm të anëtarësisë, të mazhorancës së zgjedhësve shqiptarë që përfaqësojnë dhe të partnerëve ndërkombëtarë të vendit, për të vazhduar me temp edhe më të lartë reformat transformuese europiane të vendit. Kush e quan veten socialistë, le të rrijë me socialistët dhe të kontribuojë për progresin. Unë sërish do të jem edhe në zgjedhjet e 28 Dhjetor, vullnetar i socialistëve të Tiranës dhe padyshim edhe i sfidantit tim Edi Rama, sepse sistemi ynë politik nuk është i qelbur dhe dallon diametralisht me atë që Edi e quajti të qelbur 12 vjet më parë në 10 vjetorin e vrasjes së John Lennon në Akademinë e Arteve. Qysh atëherë John Lennon nuk ka nevojë të vritet prapë …/tvklan.al