Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë konfirmuar përmes ambasadorit Withers, se Shqipëria do të zyrtarizohet si anëtare me të drejta të plota e NATO-s në samitin që aleanca do të zhvillojë në më pak se 2 muaj në Strasburg.
John Withers: “Në më pak se 2 muaj Shqipëria do të bëhet një anëtare e NATO-s me të drejta dhe privilegje të barabarta dhe më lejoni ta them dhe njëherë, sepse tingëllon shumë bukur. Një anëtare e NATO-s me të drejta dhe privilegje të barabarta. Për Shqipërinë si dhe për çdo vend tjetër të NATO-s, anëtarësimi në NATO është fillimi i një procesi dhe jo fundi i tij. Rruga drejt institucioneve të pavarura demokratike të pa ndryshueshme kërkon kohë”.
Këtë deklaratë ambasadori Withers e bëri gjatë një konference në Tiranë, ku diplomat dhe aktor të politikës diskutuan mbi sfidat e Shqipërisë pas pranimit si anëtare me të drejta të barabarta në NATO. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, u ndal në mënyrë të veçantë në angazhimet që rrjedhin si pasojë e detyrimeve që duhet të përmbush qeveria shqiptare për të qenë pjesë e këtyre strukturave euroatlantike.
Lulzim Basha: “Qeveria është seriozisht e angazhuar të vazhdoj rrugën e përshkruar deri më tani, se ka gatishmëri të plotë të marrë përsipër të gjithë detyrimet politike, financiare dhe ushtarake që nënkupton pjesëmarrjen në NATO. Kryesimi ynë i radhës i kartës Adriatik 5, udhëhiqet nga vlerat thelbësore politikës sonë rajonale, forcimi i marrëdhënieve së fqinjësisë mirë, gjithë përfshirje, transparencë, modelim dhe dialog, parime që do të ushtrohen me qëllim thellimin e bashkëpunimit rajonal në funksion të integrimit të mëtejshëm europian dhe euroatlantik të Ballkanit perëndimor”.
Kryetarja e Grupit Parlamentar Socialist, Valentina Leskaj, theksoi dhe njëherë se integrimi i vendit në NATO, është një kontribut i përbashkët.
Valentina Leskaj: “Ajo që na ka sjellë deri këtu, ka qenë një kontribut i përbashkët. Është për herë të parë që një opozitë bëhet kontributore direkte e procesit duke u bërë nismëtare e rezolutës për anëtarësimin e vendit në NATO dhe në vijim me angazhimin për 2 reforma të rëndësishme, reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore. Kjo qasje e re e një opozite jo refuzuese, po ofruese”.
Kjo konferencë e organizuar nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, vjen pak ditë pasi 26 vendet e NATO-s mbyllën procesin e ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë duke i çelur kështu rrugën zyrtarizmit në samitin e prillit që përkon edhe me 60 vjetorin e krijimit të aleancës./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro
Operator Enver Shehu