Katër persona ranë në prangat e Policisë së Fushë-Krujës, për konfliktin e pronësisë mes kushërinjve, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e të enjtes, ku mbetën tre të plagosur. Ata janë Ylli, Ardian, Fatos dhe Sahit Sela.
Ky i fundit është punonjës policie, i cili në momentin e ngjarjes ishte jashtë shërbimi, ndërsa tre të tjerët janë të afërm të tij. Fatos dhe Ylli Sela, rezulton se janë vëllezër me njëri-tjetrin, dhe kushërinj me dy të arrestuarit e tjerë. Zyrtarisht policia deklaron se sherri ndodhi pranë një fabrike çimentoje, dhe shkak është bërë sherri për motive pronësie, për një sipërfaqe toke.
Fillimisht konflikti nisi verbalisht mëngjesin e të enjtes, dhe më pas agravoi në darkë deri në përdorimin e armës nga punonjësi i policisë, por dhe një tjetër armë zjarri. Sipas burimeve të policisë, kushërinjtë u takuan në mëngjes dhe debatuan me fjalë, por agravoi deri në përdorimin e sendeve të forta.
Takimi u përsërit në mbrëmje, por këtë herë u përdorën armët e zjarrit. Gjatë dëshmisë në polici, punonjësi i policisë Sahit Sela pretendoi se ka qëlluar për vetëmbrojtje, pasi kanë qenë kushërinjtë e tij ata që kanë qëlluar të parët.
Policia deklaron se deri më tani, si provë materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë e efektivit të policisë, municion luftarak (2 fishekë) dhe gëzhoja, të gjetura gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes.
Klan News