Del raporti i Transparency International
‘Transparency International’ publikoi sot Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, i cili vlerëson se mbi 2/3 e vendeve janë duke shënuar hapa prapa në përpjekjet anti-korrupsion.
Indeksi radhit 180 vende dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik.
Shqipëria renditet në vendin e 106, ndërkohë që ka qenë në vendin e 99. Përkeqësim ka shënuar edhe Kosova që renditet e 101-ta me 36 pikë.
Ky rezultat do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 93-të, me 37 pikë.
“Kosova po kalon nëpër një ndryshim të pushtetit parlamentar, që mund të ofrojë një mundësi për ndryshime”, vlerëson Transparency International.
Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përmirësim të lehtë në luftën kundër korrupsionit ka shënuar vetëm Mali i Zi.
Renie ka pësuar edhe Serbia dhe Bosnja.
Rezultatin më të mirë në luftën kundër korrupsionit sivjet e kanë treguar Danimarka, Zelanda e Re dhe Finlanda, ndërsa në fund të listës janë: Somalia, Sudani Jugor dhe Siria.
Tv Klan